Lajme Shqip Tuesday, 31 May 2011 10:38

Dibër – Me shumë keqardhje duhet të konstatojmë se qyteti juaj dhe zonat e tuaja, fatkeqësisht këto vitet e fundit u ngjajnë zonave periferike të shqiptarëve siç është Karshiaka, Likova, Velesi etj. Në Dibër në programin e plotfuqishëm të sllavo ortodoksizmit, ata arritën që t’i pastrojnë tokat prej shqiptarëve, tash i janë gjuajtur edhe këtij qyteti. Ata gjuhën shqipe nuk e përdorin në një territor prej Gostivari deri në Dibër, për shkak se kanë krijuar një komunë në të cilën gjuha shqipe nuk duhet të ekzistojë dhe bashkë me këtë edhe shqiptarët.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i PDSH, Menduh Thaçi në mitingun parazgjedhor, në Dibër.

“Këtë herë PDSH me platformën e re, unike, proshqiptare,votat i numëron dhe i llogaritën ashtu si duhet. Te ne votat nuk shkojnë kot dhe bosh, të gjitha bëhen bashkë dhe përdoren ekskluzivisht për të mirën e shqiptarëve, në asnjë moment duke menduar që dikujt t’i bëjnë dëm, por nuk mund të jemi altruist, të tjerët i kanë partitë e veta, vetëm shqiptarët kanë mungesë të partisë qeveritare që i mbron interesat e tyre. Gjithsesi, duhet të luftojmë bashkërisht, t’i bindim këta të rinj dhe të reja se nëna e zgjidhjes së këtyre problemeve është politika. Nuk duhet dëgjuar njerëzit që thonë se s’duhet të merremi me politikë, ne nuk jetojmë në Gjermani, Angli, Zvicër ku politika është luks, për ne politika është buka e gojës, për ne politika është toka dhe gjuha. Me një angazhim të përbashkët, ju premtoj se ne atë pjesë të buxhetit të shtetit të cilën me platformën e re do ta sigurojmë, 50 për qind të atij buxheti do të përdoret për këto zona të cilat janë të rrezikuara”, ka thënë Thaçi.

“Përfundimisht duhet të përdorim një strategji të tillë që t’u përgjigjemi me kundër strategji, sepse strategjia e Gruevskit dhe VMRO është që të goditen këto zona periferike dhe ashtu siç thash të zbrazen, prandaj strategjia e shqiptarëve është që të mbrohen këto zona, shtoi Thaçi. Mos i çoni kot votat te partitë e vogla, asnjë çështje nuk do të zgjidhim nëse votat shkojnë huq, votat që shkojnë tek PDSH, tek opozita e vërtetë, tek opozita e fortë e cila do ta gjunjëzojë këtë shtet është votë që u jepet pro shqiptarëve. Platformat e partive tjera janë e shkuara e shqiptarëve, nuk dhanë rezultat dhe efekt, ndaj platforma e re e PDSH-së është e vetmja rrugë dhe e vetmja zgjidhje e problemit të shqiptarëve në trojet e veta”, ka thënë Thaçi.

Ndryshe në tubim, fjalën përshëndetëse e mori edhe kandidatja për deputete nga Dibra, Afërdita Kërçishta.