Lajme Shqip Tuesday, 31 May 2011 08:05

Dibër – Demokracia e Re dje mbajti tubim parazgjedhor në Dibër, në të cilin u prezantuan kandidatët për deputetë në Njësinë e gjashtë zgjedhore. Para bashkëqytetarëve të tij iu drejtua bartësi i listës Kastriot Haxhirexha, mjek nga Dibra, i cili punon në Spitalin klinik në Tetovë.

“Interesat e shqiptarëve i kam mbrojtur që në kohën e komunizmit dhe me çmim të jetës sime. Do t’i mbrojë dhe do të angazhohem për ta edhe në të ardhmen. Dibra edhe sot ballafaqohet me shumë probleme, të cilat bashkarisht mund t’i tejkalojmë, të sigurojmë kushte që të rinjt të qëndrojnë, të arsimohen, të punësohen dhe të formojnë familje këtu, e jo në SHBA ku është e gjithë Dibra”, tha Haxhirexha.

Lideri i DR-së, Imer Selmani porositi se është në mision të përbashkët me partinë që t’ia kthejë krenarinë Dibrës dhe vendin të cilin e meriton, sepse, siç theksoi, pikërisht Dibra ka qenë djep i shkrimit, kulturës së arsimit, politikës.

“Shumë më parë Dibra filloi të ndahet. Dibrën e zbrazi emigracioni dhe sot një Dibër është në Shqipëri, por presionet nuk ndaluan as në komunizëm, i cili një Dibër e dërgoi në SHBA. Por edhe mëtej nuk ndalet terrori, kësaj here ai ekonomik, i cili kushtëzon migrim të madh edhe mëtej”, tha Selmani, duke premtuar ndryshime kushtetuese, investime të mëdha posaçërisht në infrastrukturën rrugore, me ç’rast do të kontribuohet për ringjallje të ekonomisë në këtë rajon.

Në qoftë se partia është në pushtet, theksoi Selmani, të paktën dy milionë euro nga mjetet qeveritare do të investohen në rajonet e lëna, siç është Dibra.