Lajme Shqip Thursday, 07 June 2012 15:12

Beograd – Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliç në takimin e filluar, do tu dorëzojë serbëve të Kosovës një pjesë të dokumenteve të negociatave mes Prishtinës e Beogradit, në të cilat ka siguruar qasjen pas marrjes së detyrës si president.

“Serbët nga Kosova duhet të jenë të njoftuar për të gjitha marrëveshjet dhe vendimet që i ka ndërmarrë Serbia, e të cilat i prekin direkt jetët e tyre”, ka thënë Nikolliç para takimit me katër kryetarët ilegalë serbë të komunave të veriut dhe kreun e të ashtuquajturit qark i Mitrovicës.

“Ata do t’i marrin sot dokumentet nga unë. Kjo nuk është fshehtësi e imja. Jeta ime nuk varet nga ajo se çka ndodh në Kosovë, automjeti im ka targa, që askush nuk mund t’ia heqë, letërnjoftimi im vlen në tërë territorin e shtetit, kudo që shkoj. Ata janë të rrezikuar dhe fëmijët e tyre duhet të jetojnë në rrethana të tjera”, ka thënë Nikolliç.

Ai ka thënë se pikërisht për këtë, do të angazhohet që në bisedimet e ardhshme t’i përfshijë edhe serbët e Kosovës. Sipas, Nikolliçit, dokumenet që do t’ua dorëzojë bashkëbiseduesve, asnjëherë nuk kanë qenë në parlament, dhe kurrë, edhe pse nuk janë konfidenciale, nuk janë bërë publike. (LajmeShqip.com)