Prishtinë – Ndërmjetësi i BE-së për dialogun teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, pritet të mbërrijë nesër në Prishtinë, pas vizitës në Beograd, në përpjekjet për vazhimin e dialogut teknik kosovaro-serbe, të ndërprerë dy herë që nga fillimi në 8 marsin e këtij viti.
Është njoftuar se ndërmjetësi i BE-së ka propozuar 14 tetorin si datë për rifillimin e dialogut, por vazhdojnë qëndrimet e ndryshme të palëve, Beogradit dhe Prishtinës, rreth asaj se për çka do të bisedohej.
Ndërprerja e parë ishte gjatë verës, kur raundi i gjashtë i paraparë të mbahej më 20 dhe 21 korrik u shty me fajin e palës serbe, e cila refuzoi njohjen e vulave të Doganave të Kosovës.
Vjeshta solli edhe ndërprerjen e dytë, pasi takimi i raundit të shtatë të bisedimeve, i paraparë për 27 e 28 shtator, nuk u mbajt edhe pse të dy delegacionet, i Prishtinës dhe i Beogradit, ishin në Bruksel, ku të ndarë biseduan me ndërmjetësit.
Më atë rast, delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga zv/kryeministrja Edita Tahiri zhvilloi takim të veçantë me përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-ve në dialogun teknik, pas të cilit qeveria e Kosovës kumtoi se “në këtë takim u konstatua se ky raund i dialogut u anulua me fajin e palës serbe, e cila u tërhoq nga dialogu pas dështimit për të imponuar bisedat për çështjen e pikave doganore, duke shkelur më këtë rast obligimet e marra nga Rezoluta e AP të OKB-së për dialogun dhe parimet evropiane”.
Edhe gjatë vizitës së Cooper në Beograd, të premtën e kësaj jave, përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë kanë insistuar që para se të bisedohet për çështjet teknike të parapara për raundin e shtatë të bisedohet për veriun dhe dy pikat doganore atje, por qëndrimi i Prishtinës zyrtare është se këto janë çështje të brendshme të Kosovës, për të cilat nuk mund të bisedohet.
Udhëheqësja e delegacionit kosovar në dialogun teknik, zv/kryeministrja Edita Tahiri tha mbrëmë se “ky insistim apo kjo tendencë për t’ia ndyshuar karaterin dialogut teknik në një ngjarje politike ka qenë që nga fillimi i këtij procesi”, por shtoi se edhe Serbia e din se ky dialog edhe me Rezolutën e AP të OKB-së e ka mandatin për çështje praktike.
“Insistimet e tilla mendoj se Serbia po i përdorë si justifikim për ta bllokuar dialogun”, theksoi ajo në një intervistë në Televizonin e Kosovës duke përkujtuar edhe moszbatimin e marrëveshjeve nga ana e Beogradit.
“Qëndrimi i qeverisë së Republikës së Kosovës është i prerë, për këtë çështje të gjitha institucionet janë në një linjë, ne kemi platformën e qartë për këtë dialog me vijat e kuqe, që nënkupton që për çështjet e rregullimit të brendshëm të Kosovës, për sovrantitet dhe ingtegritet territorial të shtetit tonë nuk bisedojmë asnjëherë me Serbinë”, theksoi Tahiri.
Sipas saj, tendencat e Serbisë në fakt janë që të shkelet mandati i Rezolutës së OKB-së për një dialog teknik.
Sunday, 09 October 2011 13:31