(E plotësuar) “Lumi Radika, shumë zhurmë për asgjë”. Kështu shkruan në Facebook kryeminstri Rama i cili poston në rrjetin social edhe një foto të takimit që ai pati me dy ministra shqiptarë të qeverisë së Maqedonisë.
“Sot me dy ministra shqiptarë të qeverisë së Maqedonisë për të rinënvizuar njëzëri se burimet natyrore të shqiptarëve as nuk mund të cënohen në mënyrë të njëanshme dhe as mund të negociohen në dëm të Shqipërisë. Nëse do të ketë projekt ai do të gjykohet nga shqiptarët me përgjegjësi të plotë kombëtare dhe në respekt të plotë të marrëveshjeve ndërkombëtare. Zhurmë e kotë pseudopatriotike me synime politike për një problem që nuk ekziston!” shkruan Rama.
Më herët ministrat e qeverisë maqedonase dhanë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushati, atë të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe Ministrin e Mjedisit Lefter Koka.
Devijimi i lumit Radika, Rama takim me autoritetet maqedonase
Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama do të zhvillojë sot një takim me autoritetet maqedonase në lidhje me akuzat e fundit për devijimin e lumit Radika. Ditën e djeshme Rama nga foltorja e Parlamentit përcolli siguri para qytetarëve se nuk ka projekt për devijimin e lumit Radika.
Kryeministri Rama së bashku me ministrat Gjiknuri, Bushati dhe Koka do të takohen sot në Tiranë me ministrin e Ekonomisë në Maqedoni, Valon Saraçinin dhe atë të Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, Abdilaqim Ademi.
Projekti energjitik i “Fushë Lukovës”, i cili ka ndezur debate të shumta në vend, deri tani qoftë nga pala maqedonase, qoftë nga ajo shqiptare nuk është pranuar se ka plan konkret.
Ndërkohë, zyrtarët e Bankës Botërore në Shkup kanë deklaruar se po bëjnë vlerësime për projektin e paraqitur që prej vitit 2011, e sipas të cilit, sasia e ujërave që parashikohet të devijohen në kaskadën e Mavrovës.
Por, meqë ky devijim ujërash prek edhe vendet fqinje, si Shqipërinë, Kosovën dhe Greqinë, sipas rregullave të Bankës Botërore, këto vende duhet të vihen në dijeni.
Projekti, që ende nuk është miratuar nga Bordi i Drejtorëve, ka ndeshur në vështirësi për shkak të konsideratave mjedisore dhe kundërshtimeve nga banorët në Maqedoni, meqë ai pritet të ndërtohet në një park kombëtar./shekulli/
Friday, 24 January 2014 11:14