Gani Mikullovci, dëshmitar i fundit i prokurorisë në gjykimin kundër Oliver Ivanoviq dhe katër të akuzuarve tjerë, ka rrëfyer të enjten para trupit gjykues për përjetimet e tij, natën e 3 shkurtit të vitit 2000, derisa ishte në banesën e tij që në atë kohë gjendej në veri të Mitrovicës.
Sipas tij, në natën kritike ai gjendej në banesë së bashku me bashkëshorten Naxhijen dhe djalin Bleratin.
Rreth orës 21:00, vazhdoi dëshmitari, është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm në afërsi të ndërtesës së tyre, dhe pas pak kohësh janë mbledhur më shumë se 200 serbë para ndërtesës.
Ai tha se një pjesë e tyre kanë hyrë me forcë në banesën e Muharrem Sokolit në katin e dytë, dhe pastaj kur është qetësuar pak situata, bashkëshortja e Muharremit, Gjyla, ka ardhur në katin e katërt dhe ka treguar se bashkëshorti i saj është i plagosur rëndë.
Megjithatë, dëshmitari tha se pas mesnatës Muharremi vdiq si pasojë e plagëve të marra, ndërsa ai me familje është evakuuar menjëherë pas kësaj në jug të qytetit me ndihmën e policisë së UNMIK-ut, përkatësisht vajzës së tij, e cila atëherë punonte si përkthyese në UNMIK,raporton Kosovapress.
Në lidhje me të akuzuarin Oliver Ivanoviq, dëshmitari bëri të ditur se e kishte njohur mirë edhe para lufte dhe se nuk e kishte parë gjatë natës kritike.
Mirëpo, kur prokurori pyeti dëshmitarin nëse është në dijeni për grupin e ashtuquajtur ‘rojat e urës’ dëshmitari ka rrëfyer vetëm një rast që kishte përjetuar.
Pas përfundimit të dëshmisë nga ana e Mikullovcit, seanca po mbahet e mbyllur ku pritet të diskutohet për masat e sigurisë për të akuzuarit.
Po ashtu, trupi gjykues vendosi që inspektimi i vendit të ngjarjes ku kanë ndodhur krimet të bëhet të hënën më 21 shtator fillimisht nga ora 9:30 në veri të qytetit, e pastaj në ora 13:30 në jug.
Në anën tjetër, avokati i të akuzuarit Ivanoviq, Nebojsha Vllajiq, tha se as dëshmitari i sotëm që ishte i fundit i prokurorisë, nuk ka dhënë fakte që ndërlidhen me aktakuzën kundër klientit të tij.
Seanca e radhës u vendos të mbahet më 6 tetor, me marrje në pyetje të dëshmitarëve të mbrojtjes.
Ndryshe, Oliver Ivanoviq dhe katër të akuzuarit tjerë, Dragolub Delibashiq, Ilija e Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandar Llazoviq,akuzohen për krime ndaj popullatës shqiptare gjatë viteve1999 – 2000 në Mitrovicë.
Thursday, 17 September 2015 15:32