Tiranë – Vazhdon rënia e remitancave. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, treguan se për gjysmën e parë të këtij viti dërgesat e emigrantëve kishin vlerën e 342 milionë eurove. Krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2010, remitancat kanë rënë me 12%, ndërsa krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2009, rënia është 19%.
Këto të dhëna dëshmojnë se fenomeni i rënies së remitancave po fiton vazhdimësi dhe është tashmë një tendencë në ekonominë tonë.
Në fakt, kjo rënie është një fenomen normal dhe që është verifikuar edhe në vendet e tjera që kanë pasur valë të mëdha emigracioni. Me kalimin e viteve, të larguarit e ndërtojnë jetën në vendet ku kanë emigruar dhe lidhjet me vendin e origjinës gradualisht zbehen.
Por për Shqipërinë ky cikël ka koiçiduar me krizën ekonomike që preku pothuajse të gjithë botën pas vitit 2008. Problemet e veçanta të Greqisë, vendi që pret më shumë emigrantë shqiptarë, e kanë theksuar edhe më shumë këtë prirje. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 14 September 2011 15:53