Prishtinë – Duke parë gjendjen alarmante të grave të prekura nga kanceri në Kosovë, gratë deputetet kanë marrë një nisme për blerjen e një Mamografie mobile, e cila do të jetë në dispozicion, të të gjitha grave në mbarë Kosovën.
Deputetja nga AAK-ja, Donika Kadaj Bujupi, tha se kjo nismë është marrë, duke parë rritjen e numrit të grave të prekura nga kanceri i gjirit dhe mitrës. Sipas saj numri i grave të prekura nga kanceri në Kosovë është alarmant, sidomos pas luftës, pasi çdo një ndër tetë gra është e prekur nga kanceri.
Deputetja e LDK-së Teuta Sahatçija, tha se pas nënshkrimit të këtij memorandumi, do të nënshkruhet memorandum edhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe OSBE-në. “Ky është vetëm fillimi i kujdesit tonë apo angazhimit tonë për shëndetin e gruas dhe për qytetaren e Kosovës dhe i fuqizimit të gruas kosovare në çdo nivel”.
Aparati lëvizës Mamografik, pritet që të sigurohet deri në fund të këtij viti dhe se kostoja e tij pritet të jetë mbi gjysmë milion euro.(LajmeShqip.com)
Wednesday, 16 May 2012 16:20