Lajme Shqip Friday, 20 January 2012 17:40

Zagreb – Pas debateve, të cilat zgjatën pothujase tërë ditën, deputetët kroat dje njëzëri, me 127 vota “për” dhe një të përmbajtur, miratuan Deklaratën për anëtarësimin e Kroacisë në BE si interes strategjik.

Në dokument thirren qytetarët të marrin pjesë në referendumin më 22 janar dhe të shprehin vullnetin e tyre.

Hyrja e Kroacisë në Union nga 1 korriku i vitit 2013, konsiderohet si interes strategjik nacional. Është theksuar edhe roli i qytetarëve kroat si aktorë kyç në procesin e inkuadrimit drejt BE-së.

Në dokument Kuvendi kroat konfirmoi vendosmërinë e tij për vazhdimin e reformave, për shkak se ata janë me interes të rëndësishëm për Kroacinë dhe bazohet për funskionimin e shtetit juridik.

Sipas hulumtimit të agjencisë “Ipsos Puls” në referendum rreth 60 përqind e qytetarëve do të votojnë për anëtarësimin e Kroacisë në BE, kundër do të prononcohen 31 përqind, ndërsa 9 përqind janë të papërcaktuar në lidhje me këtë çështje.

Numri i kundërshtarëve të BE-së në Kroaci ngadalë po zvogëlohet, për shkak se në tetor të vitit të kaluar ata përbënin 36 përqind. Nga ana tjetër rritet numri i atyre qytetarëve të cilët janë të papërcaktuar.

Anketa është zbatuar në 20 ditët të fundit me shembull prezantues prej 1.000 të anketuarve.