Prishtinë – Qëndrimi i institucioneve të Kosovës sa i përket zgjidhjes së çështjes së veriut është i qartë, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, sipas të cilit, Qeveria obligohet t’i respektojë vendimet e Kuvendit. Ai tha se askush nuk ka të drejtë të dalë përtej këtyre vendimeve.
Ditëve të fundit është përmendur mundësia e një ekipi të përbashkët mes pozitës dhe opozitës për të biseduar për veriun. Vjosa Osmani nga LDK-ja thotë se ai konsensus mund të arrihet, vetëm nëse qëndrimi i Qeverisë nuk tejkalon zgjidhjen e çështjes së veriut përtej Pakos së Ahtisarit.
“Unë mendoj që konsensusi politik arrihet, së paku me shumicën e partive politike, vetëm e vetëm nëse qëndrimi i qeverisë është që mos të shkojë përtej Pakos së ahtisarit, sepse gjithçka përtej asaj do të shkatërrojë jo vetëm konsensusin politik, por edhe shtetin e Kosovës”, tha Osmani.
Ndërsa Ahmet Isufi nga AAK-ja kritikoi Qeverinë për mos hartimin e një programi të implementueshëm për veriun deri më tani.
Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, megjithëse thotë se pavarësia nuk është e shpallur mbi Pakon e Ahtisarit, kërkon nga subjektet tjera qoftë të pozitës qoftë të opozitës, që për veriun, mos të kërkojnë zgjidhje tjetër nga ajo që del si rezultat i shpalljes së pavarësisë.
Edhe pozita edhe opozita zgjidhjen për veriun e Kosovës e shohin vetëm brenda Pakos së Ahtisarit dhe shprehen se janë kundër bisedimeve me Beogradin për veriun. Qeveria në anën tjetër, ka shprehur gatishmërin që të bisedojë me serbët e veriut por jo me Beogradin. (LajmeShqip.com)
Friday, 08 June 2012 09:00