Lajme Shqip Tuesday, 04 October 2011 12:00

Tiranë – Ministria Shqiptare e Mbrojtjes synon që brenda vitit 2013 të asgjësojë të gjithë sasinë e municioneve të tepërta, të trashëguara nga e kaluara, një sasi kjo që përllogaritet në rreth 45 mijë ton.

“Synimi ynë është ambicioz, por i realizueshëm. Krahas asgjësimit të municioneve të tepërta, do të heqim nga barra dhe pronat e tepërta të Forcave të Armatosura. Kështu duhet të asgjësohen rreth 45 mijë ton municione, mijëra artikuj të ndryshëm nga artileria e tankeve, etj”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, në  konferencën “Demilitarizimi i municioneve dhe armatimit të trashëguar kontribuon në sigurinë e Shqipërisë”.

Ministri Imami tha se në këtë proces do të ishte e pamundur të kishte progres nëse nuk do të ishte mbështetja, së pari e qeverisë shqiptare dhe më pas e vendeve partnere dhe aleate, për të cilat ai shprehu mirënjohje.

“Bashkëpunimi me OSBE-në dhe mbështetja e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, si dhe dhe vendeve të tjera partnere si, Danimarka, Gjermania, bëri të mundur demontimin industrial  dhe vënien në punën të dhjetë poligoneve për asgjësimin e municioneve të tepërta”, tha Imami.

Në kuadër të pastrimit të Forcave të Armatosura Shqiptare nga këto municione ministri i Mbrojtjes theksoi se deri tani është bërë i mundur eliminimi i një sasie kimikatesh të rrezikshme dhe karburanti raketash, ndërkohë që një sasi e konsiderueshme reagentësh kimikë i janë dhënë Ministrisë së Arsimit për laboratorët e universiteteve dhe shkollave në të gjithë vendin.

Arvizu: Kujdes me gabimet e sëshkuarës

“Duhet të rregullojmë gabimet e së shkuarës dhe të punojmë për demontimin e municioneve”. Kështu është shprehur ambasadori i SHBA-së në Tiranë në konferencën e organizuar për demilitarizimin e municioneve të trashëguara ndërsa i është referuar edhe tragjedisë së Gërdecit.

Sipas tij duhet bërë shumë për pakësimin e tepricave të armëve dhe municioneve pasi mjete të tilla nuk mund të bihen në duart e kriminelëve.