Princi Charles dhe gjithçka që e ka rrethuar atë, tani gjenden në një dokumentar që është shfaqur në Festivalin e Filmit dhe Muzikës “Sundance”, i cili po mbahet në Londër, pak përpara premierës së tij. Dokumentari është pagëzuar “HARMONY: A New Way of Looking at Our World” ku Princi është shoqëruar nga aktori veteran, drejtor dhe themelues i festivalit, Robert Redford.
Bëhet fjalë për një festival i cili realizohet me buxhet minimal dhe që bën bashkë dhjetra filma dhe dokumentarë nën moton “kinemaja indipendente”. Dokumentari “HARMONY: A New Way of Looking at Our World” është realizuar nga regjisorët Stuart Sender dhe Julie Bergman Sender. Në të portretizohet Princi Charles dhe gjithçka e rrethon atë në jetën profesionale dhe atë private përgjatë këtyre 3 dekadave të fundit.
Aty janë përdorur edhe imazhe të një kohe të shkuar, nga një dokumentar i hershëm i realizuar për mbretërinë, përfshi edhe një intervistë e vitit 1988 e zëvendës presidentit të SHBA-ve, Al Gore. Përpara audiencës së festivalit, themeluesi i tij Redford është shprehur, “Në përditshmëri Charles ka punën e tij dhe unë timen, por në atë që është mjedisi ynë i përbashkët ne kemi shumë ndjesi të cilat i ndajmë njësoj, me të njëjtin shqetësim”. Redford theksoi se Charles është ndër ata personazhe publikë që shqetësohen shumë për çështjet e mjedisit.
Filmi është frymëzuar nga libri me të njëjtin titull ku Princi është bashkëautor me moderatorin e kanalit të radios 3 të BBC-së, ambjentalistin britanik Tony Juniper.
Monday, 30 April 2012 15:27 