Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi të mërkurën, në Festën Kombëtare të Mësuesit, Harry Fultzin (pas vdekjes), si dhe Institutin që mban emrin e tij.
Në një ceremoni të organizuar në Presidencë, Kreu i Shtetit dekoroi me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Harry Fultzin (Pas vdekjes), me motivacionin: “Për kontribut të qenësishëm në zhvillimin progresiv dhe modern të arsimit kombëtar shqiptar, veçanërisht në hedhjen e themeleve të arsimit teknik, çka pati ndikim të rëndësishëm në jetën e shoqërisë shqiptare”.
Gjithashtu, Presidenti dekoroi me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, Institutin “Harry Fultz”, si dhe me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë, drejtorin e tij, Arian Kapedani.
Në përshëndetjen e tij, Presidenti tha se titulli i lartë shkon për Harry Fultzin “një figurë legjendare e kombit shqiptar, me të cilin nderohet ai dhe misioni i tij, për bazat që hodhi në linjën e teknikës dhe mekanikës, si dhe edukimin e brezave”.
“Harry Fultz diti të fusë në sistemin e edukimit, jo vetëm filozofinë e të mësuarit, por më shumë se kujtdo tjetër i jemi mirënjohës, se nga kjo shkollë dolën breza të shquar njerëzish, që kanë qenë të vlefshëm për Shqipërinë. Sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë lartësohet figura e Harry Fultzit”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Më tej, Presidenti tha se jo pa qëllim e kishte zgjedhur këtë ditë për nderimin e Institutit “Harry Fultz”, pasi sipas tij “është një dite simbolike për arsimin shqiptar, një ditë që duhet ta nderojmë. Na bën të jemi jo vetëm krenarë, por të shprehim edhe emocione të pastra, për mësuesin , për figurën e tij, sepse çdo njeri rritet në familje, por tek mësuesi ka parë gjithmonë një prind të dytë.”
Shkolla Teknike e Tiranës (sot Instituti Harry Fultz) u themelua më 1921 nga Kryqi i Kuq i të Rinjve Amerikanë. Drejtor i parë i saj ishte Harry Fultz, pedagog në shkollën normale në Indiana (SHBA) dhe në Institutin Teknologjik Armur. Në punën e tij ai udhëhiqej nga parimi i edukimit të të tjerëve përmes shembullit personal.
Shkolla Teknike u bë një fidanishte e përgatitjes teknike e profesionale të të rinjve. Motoja e këtij institucioni ishte “Të mësojmë nxënësit duke punuar”. Shkolla synoi dhe arriti me sukses përgatitjen e njeriut të punës që i shërbente vetes, familjes dhe shoqërisë.
Në Janar 1947 shkolla mori emrin Politeknikumi “7 Nëntori”, ndërsa pas vitit 1990, si rezultat i proceseve demokratike, shoqërore dhe ekonomike, kjo shkollë në vazhdim të traditës së saj shumëvjeçare mori emrin Shkolla Teknike “Harry Fultz”(1993).
Wednesday, 07 March 2012 12:47