Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 18:30

Vendimi i qeverisë për të shtyrë me tre muaj afatin e Ligjit të Faljes është pasuar nga një shtyrje e afatit për deklarimin individual të të ardhurave. Ministria e Financave konfirmon se, afati përfundimtar për dorëzimin e deklaratës individuale të të ardhurave nuk do të jetë më 30 prilli, por 30 shtatori i këtij viti.

Vendimi për shtyrjen në fjalë argumentohet me faktin se iu është lënë mundësi qytetarëve që të legalizojnë fillimisht kapitalin informal, konform Ligjit të Faljes. Më pas, ata mund të plotësojnë deklaratën individuale të të ardhurave. Pavarësisht shtyrjes, e drejta apo detyrimi për të deklaruar ka nisur që nga data 1 janar.

Një ndryshim tjetër që ka ndërmarrë ekzekutivi në ligj është edhe kufiri i të ardhurave të individëve që e kanë detyrim deklarimin. Me ndryshimin e ri, të gjithë individët që kanë të ardhura vjetore në nivelin mbi 2 milionë lekë janë të detyruar të plotësojnë deklaratën e pasurisë.

Përsa i përket individëve që kanë të ardhura poshtë këtij niveli, deklarimi është vullnetar dhe jo i detyrueshëm. Në rast se dëshirojnë të përfitojnë nga shpenzimet e zbritshme që ofron ligji në fjalë, atëherë ata qytetarë mund të plotësojnë dhe dorëzojnë vullnetarisht formularin e pasurisë. Ligji për deklarimin e të ardhurave nga qytetarët aplikohet për herë të parë në Shqipëri.

Gjatë këtij viti, qytetarët shqiptarë do të duhet të plotësojnë deklaratën zyrtare të Ministrisë së Financave, duke argumentuar me fatura fiskale të gjitha transaksionet e kryera gjatë vitit 2011.