Prishtinë – Përmes asociacionit të komunave serbe, Kosova po rrezikon të krijojë nivelin e tretë të pushtetit, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Institutit KIPRED, Ilir Deda.
Sipas tij, aktualisht në kuadër të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit po diskutohet që ky asociacion të ketë kompetenca në infrastrukturë, siguri, kulturë në menaxhim të buxhetit dhe çështje që ndërlidhen me një nivel rajonal të pushtetit.
“U pa shumë qartazi se në Prishtinë, nga Qeveria, nuk ekzistonte qartësi se çfarë asociacioni do të ishte ky. A do të ishte asociacion i komunave vetëm në veri apo asociacion i komunave serbe në gjithë Kosovën? E, pastaj dëgjuam, po ashtu, se ky asociacion do ta ketë statusin e një OJQ-je. Kjo menjëherë i parashtron disa pyetje: e para – pse duhet të bisedohet me Beogradin në Bruksel për një OJQ; pyetja e dytë është pse duhet të kërkohet ndihma e SHBA-ve që një OJQ të mos ketë kompetenca ekzekutive dhe pyetja e tretë është, pse për këtë OJQ vlen ligji për qeverisje komunale dhe bashkëpunim ndër-komunal dhe nuk vlen ligji për OJQ-të, sikurse për OJQ-të tjera? “, ka thënë Deda.(LajmeShqip.com)
Saturday, 02 March 2013 13:38