Lajme Shqip Wednesday, 28 September 2011 15:22

Tiranë – Kreditë e pakthyera ndaj ish-bankave shtetërore nuk figurojnë në Regjistrin e Kredive të Bankës së Shqipërisë. Bëhet fjalë për ato kredi të këqija, që çuan Bankën Kombëtare Tregtare dhe Bankën e Kursimeve në prag të rrënimit. Pikërisht për shkak të këtyre kredive, Banka e Kursimeve u detyrua të pezullonte dhënien e kredive deri në momentin kur u privatizua.

Bllokimi i kredive nga banka më e madhe depozituese ishte natyrisht një kosto serioze për ekonominë e vendit. Pasi Banka e Kursimeve dhe Banka Kombëtare Tregtare u privatizuan, kreditë e pakthyera në këto banka nuk i kaluan blerësve, por u mbajtën nga Qeveria shqiptare. Me qëllim mbledhjen e këtyre kredive, me vlerë afro 36 miliardë lekë, u krijua Agjencia e Trajtimit të Kredive.

Sipas informacionit më të fundit, Agjencia ka mbledhur vetëm 8 miliardë lekë ose 22% të totalit. Ndërkohë, janë fshirë si detyrime, sepse janë falur me ligje të veçanta, 6 miliardë lekë borxhe. Nga 19 mijë debitorë gjithsej, vetëm 6,500 prej tyre i kanë shlyer detyrimet. Mbështetur mbi këto shifra, sot kanë ngelur afro 12 mijë debitorë që i detyrohen shtetit shqiptar 22 miliardë lekë. Kjo shifër përfaqëson 4.3% të tepricës së kredisë për ekonominë. Drejtori i Agjencisë së Trajtimit të Kredive, ATK, Feti Zeneli pranoi se mbledhja e këtyre kredive është shumë e vështirë dhe nuk po ecën aspak mirë.

Ai shprehet se, ATK nuk e ka parë të nevojshme t’i përfshijë këto detyrime në Regjistrin e Kredive. Sot, çdo individ apo subjekt që ka detyrime të pakthyera ndaj sistemit bankar e ka praktikisht të pamundur të marrë një kredi të re. Por, ndërkohë, kredimarrësit më të papërgjegjshëm në historinë e 20 viteve banking privat në Shqipëri, munden sot të marrin lirisht kredi në sistemin bankar, sepse emrat e tyre nuk rezultojnë në sistemin e Regjistrit të Kredive, si klientë problematikë.

Veç bankave, përfshirja e këtyre kredive në sistem, potencialisht, do të ndihmonte edhe ATK-në për të mbledhur detyrimet, sepse debitorët nuk do të mund të merrnin kredi të tjera pa shlyer ato ekzistuese.