Lajme Shqip Monday, 19 December 2011 00:58

Prishtinë-Situata në veri të Kosovës vijon të jetë problematike, tashmë jo vetëm për autoritetet e Prishtinës por edhe misionet ndërkombëtare që ndodhen në vend.

Vetë kreu i misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, Xavier Bout De Marnhac ka deklaruar se ky mision nuk mund të lëvizë lirisht në këtë pjesë të vendit, për shkak të bllokadës së serbëve të Kosovës.

“EULEX-i nuk është në gjendje të lëvizë lirisht në veri të Kosovës për shkak të kundërshtimit të serbëve lokalë të cilët akuzojnë misionin për “anshmëri ndaj zyrtarëve të Prishtinës”-ka thënë De Marnhac në një prononcim për SETimes.

Sipas tij misioni i BE-së dëshiron që të hiqen barrikadat e vendosura nga serbët lokalë dhe të ketë lëvizje të përhershme dhe të pakushtëzuar për të gjithë. “Rivendosja e lëvizjes së lirë është një parakusht absolut për sundimin efektiv të ligjit në tërë Kosovën”, tha Marnhac.