Beograd-Ashtu siç ishte e qartë tash një kohë të gjatë se Partia Demokratike (DS) fushatën e saj zgjedhore do ta mbështesë në logjikën “me neve nuk ka paqartësi”, gjithashtu është pritur se në vigjilje të Shëngjergjit (ditës së mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi) do të jemi dëshmitarë të arrestimeve spektakolare dhe retorikës së sforcuar lidhur me Kosovën, shkruan gazeta serbe “Danas”.
Ndonëse veprimet e tilla arrijnë efekt te votuesit, megjithatë pak kush e ka pritur se tema zgjedhore do të jenë Kosova dhe arrestimet.
“Pikërisht kjo është ajo që na ofrojnë organet shtetërore të Serbisë, të udhëhequra nga ministri dhe lideri i socialistëve Ivica Dacic”, shkruan Nikola Tomic, redaktor i rubrikës së politikës në “Danas”, transmeton Telegrafi.
Ai më tej thotë se Dacic ndoshta do të hyjë në literaturën e drejtësisë si shpikës i terminit “reciprocitet në arrestime.
“Gjithçka bëhet më interesante kur këtë e bëni një muaj para zgjedhjeve, në mes te fushatës zgjedhore. Në përcjellje të kamerave televizive arrestoni shqiptarë, të cilët votuesi i thjesht serb apriori i konsideron ‘persona të dyshimtë’ dhe maksimalisht sforconi retorikën, me klithje për Serbinë e rrezikuar dhe padrejtësinë botërore ndaj saj duke promovuar veten si një luftëtar të vendosur për ruajtjen e integritetit, sovranitet dhe nderit të atdheut si dhe sigurinë e qytetarëve të vet”.
Autori i tekstit thotë se është veçmas interesante kjo që bëjnë autoritetet shtetërore pikërisht atëherë kur heqin dorë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë, qoftë edhe në veriun e saj.
“Me një zhurmë ultrapatriotike kamufloni edhe një humbje në Kosovë, duke shpresuar se votuesit nga Serbia nuk do ta kuptojnë këtë maskaradë”, shkruan Tomic.
Monday, 02 April 2012 10:00