Bruksel – Insistimi i Beogradit që në tabelën me emrin e Kosovës dhe yllin të shkruhet teksti i plotë i fusnotës, është interpretim i gabuar i marrëveshjes, ka thënë Cooper gjatë debatit për Kosovën në Qendrën për Politikë Evropiane në Bruksel.
“Fusnota është fusnotë”, ka deklaruar Cooper, duke thënë se është e mjaftueshme që teksti i fusnotës të qëndrojë në dokumentet e takimeve rajonale.
Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës, më 24 shkurt të këtij viti.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Kosova, në forumet dhe nismat rajonale, përfaqësohet me fusnotën, e cila përmban Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë.
Ndryshe, në takimin e së mërkurës në Bruksel, Cooper ka thënë se nuk pret që vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, të ndryshojnë qëndrim së shpejti.
“Fakti që BE-ja nuk ka qëndrim unik ndaj pavarësisë së Kosovës, është më shumë problem i BE-së sesa Kosovës, e cila duhet të përqendrohet në reforma”, ka thënë Cooper.Shtetësinë e Kosovës nuk e kanë pranuar ende pesë vende të Bashkimit Evropian: Greqia, Spanja, Sllovakia, Qiproja dhe Rumania. (LajmeShqip.com)
Thursday, 14 June 2012 07:05