Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka vlerësuar se tani në raportet Kosovë – Greqi mungon vetëm njohja formale nga ana e shtetit helen.
Ai është shprehur i bindur se edhe në këtë drejtim nga Athina do të kemi lajme të mira.
Çollaku ka thënë se përmbushja e obligimeve ndërkombëtare nga ana e shtetit të Kosovës ka bërë që pesëshja e BE-së, e cila nuk e ka njohur pavarësinë Kosovës, të ketë një qasje më afirmative në raport me shtetin më të ri në Evropë.
Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, ministri Çollaku ka bërë me dije se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktura me Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave.
Tani, sipas tij, procesi varet nga dinamika e brendshme e institucioneve të BE-së që të rekomandojnë dhe të nxjerrin vendim meritor për liberalizimin e vizave edhe për qytetarët e Kosovës.
“Përfundimisht besojmë se jemi krejt në përmbyllje të këtij procesi, prandaj me të drejtë presim që Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së ta njohin progresin e arritur në zbatimin e kritereve, rrjedhimisht të mundësohet liria e lëvizjes pa viza për qytetarët tanë. Asnjë arsye për vonesa të tjera nuk ekziston”, është shprehur ai. /Epoka e re
Wednesday, 26 August 2015 10:54