Juria për ndarjen e çmimeve për kinematografi e bën përgjegjëse Ministrinë e Kulturës sa i përket respektimit të ligjit gjatë procesit të ndarjes së çmimeve.
Sipas jurisë, është MKRS-ja ajo që duhej të shikonte nëse filmi “Agnus Dei” i Agim Sopit i plotësonte kushtet për të konkurruar. Por i pari i MKRS-së, ministri Kujtim Shala, është shprehur krejt ndryshe.
Sopi u nderua me Çmimin vjetor për kinematografi për realizimin e vitit 2012, që bie ndesh me Rregulloren për ndarjen e çmimeve për kinematografi. Por sipas Rregullores çmimi që i është ndarë Sopit javën e kaluar do të duhej t’i ndahej autorit të një vepre që është prodhim i vitit 2014, shkruan sot Koha Ditore.
“Në lidhje me këtë çështje, juria e sheh të nevojshme të sqarojë se ky çmim regjisorit Agim Sopi i është ndarë me arsyetimin ‘për suksesin e tij të jashtëzakonshëm me filmin ‘Agnus Dei’, i cili, me përmbajtjen dhe me formën e tij, në mënyrë krejt të veçantë, trajton dramën e luftës së fundit në Kosovë dhe, si i tillë, gjatë viteve 2014 – 2015, ka marrë pjesë në 70 festivale ndërkombëtare, nga të cilat i ka sjellë Kosovës 25 çmime të rëndësishme kinematografike”, ka shkruar Juria në një sqarimin që e ka dërguar të mërkurën, i nënshkruar nga anëtarët Musa Ramadani, Lindita Zeqiraj, Bekim Lumi, Drita Krasniqi dhe Besim Rexhaj.
Juria konsideron se ajo tashmë “e ka përmbyllur me sukses mandatin e saj” derisa ka vlerësuar se interpretimet e mëtutjeshme eventuale ligjore nuk janë në kompetencën e saj.
Megjithëse nuk ka treguar se si do të veprohet tutje, ministri i Kulturës, Kujtim Shala, përgjegjësinë ia ka ngarkuar jurisë, të cilën vetë e ka emëruar.
“Të gjitha juritë punojnë në bazë të rregulloreve përkatëse. Secila juri së pari vlerëson nëse propozimet janë bërë në bazë të rregullores, pastaj vlerësojnë dhe zgjedhin”, ka thënë ministri Shala, dy ditë pasi kishte thënë se për këtë rast pret opinionin e Zyrës ligjore të MKRS-së
Thursday, 06 August 2015 12:23