Lajme Shqip Saturday, 17 December 2011 08:30

Tiranë-Task-Forca e Bashkisë së Tiranës vazhdon monitorimin intensiv të tregjeve të kryeqytetit me qëllim parandalimin e rritjes abuzive të çmimeve.

Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Drejtoria e Tatim-Taksave të Bashkisë së Tiranës dhe Policia Bashkiake ishin sot në tregun me shumicë në ish- Uzinën Dinamo.

Në mbështetje të aksionit të nisur prej ditësh ishte sot edhe Drejtoria Rajonale e Tatimeve, të cilët ushtruan kontrolle të shitjes me shumicë dhe pakicë e produkteve të shportës, por edhe fruta-perimeve.

Falë thirrjes së Bashkisë së Tiranës, pikat e shitjes me shumicë kishin afishuar listën e çmimeve si dhe tregtonin mallrat të shoqëruara me faturat tatimore.

Task Forca e Bashkisë vazhdon monitorimin në të gjitha tregjet me shumicë dhe pakicë si dhe supermarketet e Tiranës. Në mënyrë të përditshme merret informacion mbi çmimet dhe luhatjen e tyre.

Për çdo rast abuzimi me çmimet do të merren të gjitha masat siç parashikohen në ligj, sikundër emrat e subjekteve dhe drejtuesve të tyre do të bëhen publik në media, deklaroi Bashkia e Tiranës, duke theksuar se është e vendosur të mos cënojë rregullat e tregut të lirë, sikundër do të mbrojë konsumatorët nga çdo lloj abuzimi ndaj tyre. (LajmeShqip.com)