Kosova pritet të nënshkruajë javën e ardhshme, më 27 tetor, Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit (MSA) me Bashkimin Europian. Kjo marrëveshje pritet t’i sjell Kosovës impakte pozitive dhe negative në aspektin ekonomik. Doganës së Kosovës do t’i zvogëlohet një pjesë e të hyrave, ngase të gjitha produktet industriale dhe bujqësore që eksportohen nga BE, do të hynë në Kosovë pa asnjë tarifë doganore. Ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të biznesit në vend, thonë se MSA do të jetë një mundësi e hapjes së perspektivës për ekonominë dhe biznesin vendor. Në Dogana kanë treguar se nga taksat doganorë të hyrat vjetore të produkteve që hynë në Kosovë e që për origjinë kanë vendet e BE-së janë rreth 60 milionë euro. Zbatimi i MSA është një proces i cili mund të zgjat edhe rreth 10 vite.
Kosova dhe Bashkimi Europian pritet të nënshkruajnë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), të martën e ardhshme, duke vendosur për herë të parë marrëdhënie kontraktuale.
Komisioni Europian në tekstin e MSA’së thotë se qëllimi i Marrëveshjes, ndër të tjera është që t’i kontribuojë stabilitetit politik, ekonomik, institucional të Kosovës si dhe stabilizimit të rajonit. Por, theksohet se asgjë e shkruar në Marrëveshje, përfshirë, Anekset, Protokollet, nuk përbën njohje të Kosovës si shtet nga Bashkimi Europian, e as njohje individuale nga shtetet anëtare që nuk e kanë ndërmarrë një veprim të tillë.
Por, përveç kësaj, MSA, do të ketë impakt të fuqishëm edhe në fushën e ekonomisë. Çfarë në fakt do të jetë ndikimi i kësaj marrëveshje?
Naim Gashi, profesor i ekonomisë dhe njohës i integrimeve europiane ka thënë për Gazetën Express se MSA ndërmjet Kosovës dhe BE’së parasheh lehtësim të shkëmbimeve tregtare dhe inkurajim të investimeve. Gashi ka treguar se ndikimi pozitiv i saj do të jetë edhe inkurajimi i investimeve të jashtme.
“.. sepse një vend që e ka të nënshkruar MSA dëshmon se i zbaton rregullat e tregut të lirë dhe ka perspektivë të qartë europiane në të ardhmen”, ka thënë ai.
Heqja e TVSH’së për prodhimet e BE’së
Gashi ka bërë të ditur se heqja e taksës doganore për prodhimet e BE-së do të jetë graduale dhe efektet e saj për 10 vite në dogana pritet të jenë rreth 60 milionë euro. Por, sipas tij nëse merën parasysh investimet nga IPA rreth 650 milionë euro, përfitimet do të jenë shumë më të mëdha sesa humbjet.
“MSA shkon në pako me Instrumentet e Paraanëtarësimit ose siç njihen IPA. Derisa tregu i Kosovës hapet për produktet me origjinë nga BE-ja, Komisioni Europian nëpërmes fondeve të IPA II, parasheh që deri në vitin 2020 të investojë në Kosovë mbi 650 milionë euro, shumica e të cilat dedikohen për rritjen e kapaciteteve konkurruese në raport me një treg prej mbi 500 milionë banorë”.
Gashi ka thënë se së Kosovë ekziston një keqkuptim, sepse me hyrjen në fuqi të MSA mendohet se hiqen të gjitha taksat në kufij.
“E vërteta është se MSA parasheh vetëm heqjen e taksës doganore 10%, ndërsa TVSH në import, akciza dhe tatimet tjera mbesin të njëjta”, ka thënë ai.
Edhe njohësit tjetër i ekonomisë, Alban Zogaj ka thënë se Kosovës me anë të MSA’së do t’i hapen rrugët për tregje europiane.
“Pra, ky proces është një sinjal shume i mirë, se vendi po ecën drejte proceseve integruese ne BE. Si rezultat, ekonomia/tregu i Kosovës do të jetë i hapur për tregjet evropiane, qasja në ato tregje do të jetë më e lehtë, kjo mund të ndihmojë eksportuesit kosovarë”, ka thënë ai.
Zogaj ka treguar se edhe kompanitë europiane do të kenë qasje më të lehtë në tregun e Kosovës.
“Konsumatori kosovar do të konsumoje produkte europiane me çmime me të lira. Normalisht, qe buxheti i Kosovës do te humb një pjesë te të ardhurave”, ka thënë Zogaj.
Ndërsa, Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës ka thanë se me të hyrë në fuqi marrëveshja eliminimi i taksës doganore do të behët në formë asimetrike.
Stavileci ka treguar se nga kjo lloje takse të hyrat vjetore të produkteve që hynë në Kosovë e që për origjinë kanë vendet e BE-së janë rreth 60 milionë euro.
“Fillimisht më duhet të qartësoj se MSA në kuadër të saj ka eliminimin e taksës doganore prej 10 për qind në produktet me origjinë te BE-s. Pra vetëm taksa doganore prej 10 për qind eliminohet dhe atë në formë asimetrike. Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës efekti është rreth 50 deri 60 milion euro nga te gjitha produktet e importuara nga BE. Kurse nga veturat te dhënat historike tregojnë qe ne vitin 2014 kemi pasur takse doganore te mbledhur ne lartësi prej 8,5 milionë kurse ne këtë vit derti tani kemi mbledhur 6,3 milionë”, ka thënë Stavileci.
Ilir Zhabari, ekonomist, dhe drejtor ekzekutiv i “Segment sh.p.k.”, kompani që merret me importim të makinerive dhe materialeve për asfalt, si edhe aditivëve të asfaltit ka thënë se marrëveshja për MSA është shumë e mirëseardhur për biznesin.
“Deri më tani Certifika EURO 1 (që është certifikatë e origjinës europiane të produkteve) nuk ka qenë valide në doganat e Kosovës meqë nuk kemi pasur MSA të nënshkruar. Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshje ka disa efekte direkte tek biznesi ynë, siç janë: ulja e kostos prej 10% në import, që direkt e ul koston e blerjes së produkteve nga vendet e BE-së, ndikon në rritjen e konkurueshmërisë së bizneseve të Kosovës me kompanitë e rajonit, që për shumë produkte të prodhuara në vendet e BE-së kanë qenë shumë më të lira”, ka thënë ai.
Tahiri: Me 27 tetor nënshkruhet MSA
Edita Tahiri, Ministre për Dialog në Qeverinë e Kosovës, kas thënë se me datën 27 tetor do të nënshkruhet MSA. Derisa ka bërë të ditur se kjo është arritje e procesit të dialogut.
“Nënshkrimi është paraparë për javën tjetër dhe diku është përmendur data 27 tetor dhe me këtë rast po rrumbullakohet një proces i rëndësishëm në rrugën e integrimit të Kosovës në BE”, ka thënë ministrja Tahiri. “Mendoj se kjo arritje e Kosovës është rezultat i dialogut të Brukselit, sepse edhe në vitin 2011, në dhjetor, Këshilli Evropian kishte marrë vendim që Kosovës do t’i ofrohet MSA-ja. Natyrisht ka zgjatur katër vjet.
Kosova i ka përfunduar bisedimet me BE-në për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, në korrik të vitit 2014, që paraqet një hap në rrugën kah anëtarësimi në Bashkimin Europian, që mund të bartë me vete përfitime ekonomike. Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini, dhe Johannes Hahn, komisionar për Politikën Europiane të Fqinjësisë dhe për Negociata për Zgjerim, do të jenë ata që javën e ardhshme do ta nënshkruajnë MSA-në me Kosovën. /Gazeta Express/.
Thursday, 22 October 2015 13:02