Lajme Shqip Saturday, 15 October 2011 11:55

Tiranё – Kur zyrtarisht procesi i regjistrimit të popullatës dhe banesave pritet të mbyllet pas një jave (21 tetor), Ministri për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo u shpreh optimist se i gjithë procesi do të mbyllet në kohë dhe do të jetë i suksesshëm.

Gjatë një prononcimi në një nga mediat vizive në vend, Pollo tha se deri tani janë numëruar 70 % e banesave në të gjithë territorin. Por, ministri Pollo shtoi se nëse procesi nuk do të mbyllet në afatin e përcaktuar ligjërisht, atëherë edhe mund të marim vendimin e shtyrjes së afatit kohor përtej datës 21 tetor.

Duke iu bërë thirrje qytetarëve t’ua hapin dyert anketuesve të Censusit, Pollo deklaroi se me anë të këtij procesi do të merret informacion mbi popullsinë e Shqipërisë, se sa njerëz jetojnë në këtë vend, si jetojnë ata, çfarë pune bëjnë etj. Pra, të dhënat e Censusit iu shërbejnë vetë qytetarëve të këtij vendi, ndaj pjesëmarrja e tyre është e domosdoshme.

Censusi i Popullsisë dhe Banesave ka nisur në datën 1 tetor në terren dhe 12 mijë anketues po trokasin derë më derë për të mbledhur të dhënat e kërkuara prej tij.

Anketuesi duhet të shkojë 3 herë në familje dhe nëse qytetari refuzon t’i përgjigjet pyetësorit, atje shkon supervizori.

Për këtë proces masiv në terren janë printuar 40 milion faqe materiale censusi dhe po punojnë 12 mijë anketues, 2 330 kontrollorë, 128 mbikqyrës 36 koordinatorë lokalë.

Aktualisht në të gjithë Shqipërinë janë 374 zyra censusi dhe 11 në Tiranë, që punojnë çdo ditë pa ndërprerje, të aftë për të zgjidhur çdo situatë në terren.

Censusi i popullsisë dhe banesave është numërimi i të gjithë njerëzve, banesave dhe pronave brenda territorit të Shqipërisë në një kohë të caktuar. Ai është një imazh statistikor që tregon, përmes të dhënave, kush jeton në Shqipëri, kushtet socio-ekonomike dhe kushtet e jetesës. Censusi është një nga veprimtaritë statistikore më të rëndësishme, që siguron një informacion të detajuar mbi numrin dhe strukturën e popullsisë, e krahasueshme edhe në njësi shumë të vogla gjeografike. Censusi nuk është i lidhur me regjistrat e taksave, pensioneve, pronësisë, shpërndarjes se energjisë elektrike apo statusit të emigrantit.