Lajme Shqip Friday, 19 July 2013 11:23

Tiranë – Ambasadori shqiptar në Itali, Neritan Ceka, ka shoqëruar kryeministrin e ardhshëm, Edi Rama, në takimet që ka zhvilluar në Itali, pavarësisht se pak kohë mes tyre pati një debat që lindi kur i biri i Cekës, pretendoi se ishte dhunuar nga Rama në Vjenë, në atë që njihet gjerësisht si ‘incidenti i veshit’.

Ceka thotë për gazetën Panorama se e ka pritur Ramën, por nuk kanë diskutuar për çështjen e ‘veshit’.

“Është detyra ime që të pres personalitetet e Shqipërisë. Pavarësisht se në opozitë, në pozitë, që është Kryeministër apo ish-kryeministër, ka një procedurë, që ambasadori pret jo vetëm kryetarin e opozitës, që në fakt ka fituar zgjedhjet dhe është Kryeministër i ardhshëm, por pret edhe përfaqësuesit e Parlamentit shqiptar. Ka një procedurë dhe një protokoll ku bën pjesë detyra protokollare,” tha Ceka, raporton tema.

I pyetur për incidentin mes Egin Cekës dhe Edi Ramës, ambasadori ynë në Itali tha: “Kjo nuk ka të bëjë fare. Unë jap informacionin lidhur me temat e ditës dhe temat shqiptaro- italiane. Kjo është detyra ime, jo të futem nëpër detaje. Ju faleminderit atëherë!”