Lajme Shqip Monday, 14 May 2012 13:00

Carla Bruni tashmë ka pushuar së qëni Zonja e Parë e Francës. Duke lënë Pallatin Elizè, Carla ka vendosur t’i rikthehet botës së muzikës. Ish-modelja do të nxjerrë në treg një album të ri në muajt e vjeshtës.

Për më tepër, sipas zëdhënëses së saj, Veronique Rampazzo gruaja e Sarkozy ka ndërmend të ndërmarrë turne gjatë sezonit të Krishtlindjes së 2012-ës.

“Ka shumë këngë të bëra gati, pasi ajo nuk ka reshtur kurrë së kompozuari”, është shprehur zëdhënësja e saj për gazetarët.

Ndërkaq, tabloidët rozë raportojnë se Carla ka humbur shumë fansa për shkak të fytyrës së saj të tjetërsuar nga botoksi. Shumë prej tyre thonë se ishte shumë më e bukur përpara ndërhyrjeve.

Sipas kritikut muzikor Bertrand Dicale ish-modelja s’do ta ketë aspak të lehtë:

“Carla Bruni Sarkozy do të ketë vështirësi si artiste. Do të ngatërrohen dy zëra, dy personalitete, ai i politikës dhe ai i këngëtares. Gjithçka do të varet çdo të bëjë tani e në vazhdim burri i saj”.

Karriera e Brunit ka pasur ulje dhe ngritjet e saj. Albumi i saj i fundit ka shënuar shitje modeste edhe pse ajo ishte Zonja e Parë e Francës. Ndërsa albumi i saj i parë ishte cilësuar si fantastik, sidomos me hitin “Quelqu’un m’a dit” i shitur në mbi 2 milionë kopje.