Lajme Shqip Tuesday, 10 January 2012 17:25

“Çalik Holding” do të marrë kontrollin e drejpërdrejtë të “Bankës Kombëtare Tregtare, BKT”.

Grupi turk ka dorëzuar pranë Bankës së Shqipërisë kërkesën për të rritur nga 45.6%, në 99.99% pjesëmarrjen e saj në aksionerin e vetëm të “BKT”, “Çalik Finansial Hizmetler”. Aksionet në fjalë aktualisht kontrollohen nga banka turke “Aktif Bank”, edhe kjo në pronësi grupit “Çalik”.

Kështu që tranferimi i aksioneve nuk ndikon në kontrollin dhe pronësinë e “BKT”. Çalik Holding ngelet aksioneri kryesor, por me kontroll të drejtpërdrejtë dhe pa pjesëmarrjen e tërthortë të Aktif Bank.

Grupi Çalik nuk ka bërë të ditura arsyet e transferimit të aksioneve, por, në kushtet kur tregjet financiare botërore paraqiten mjaft të turbullta, mund të hipotizohet se grupi turk ka zgjedhur të ndajë plotësisht bankën e saj turke “Aktif” nga banka shqiptare “BKT”.

“BKT” është banka e dytë më e madhe në Shqipëri, me një total aktivesh prej  190 miliardë lekësh, portofol kredie prej 73 miliardë lekësh dhe një total depozitash prej 162 miliardë lekësh.

Të dhënat më të fundit të publikuara nga banka i takojnë 9-mujorit të vitit 2011, që “BKT” e mbylli me një fitim prej 2 miliardë lekësh.