Lajme Shqip Thursday, 26 January 2012 17:35

Çaji i gjelbër shpejton metabolizmin dhe ndikon në dobësim. Efekti i tij në proçesin e dobësimit ka dhënë rezultate në shumë njerëz që e kanë përdorur. Por, si ndikon çaji i gjelbër në humbjen e kilogramëve? A ndikon me të vërtet, apo  është vetëm një truk i marketingut? Këtu do të mundohemi t’ju japim disa fakte reale rreth vlerave natyrale.

Përparësitë e konsumimit të çajit të gjelbër në proçesin e dobësimit janë të besueshme në një masë. Megjithatë, rezultatet tregojnë se:

1. Çaji i gjelbër përshpejton metabolizmin

Një studim i bërë dhe i botuar nga revista American Journal of Clinical Nutrition ka vërtetuar se ekstrakti i çajit të gjelbër shkakton rritje të dukshme të shpenzimit të energjisë (“shpejtimin” e metabolizmit). Shkencëtarët, po ashtu kanë vërtetuar se në periudhën prej 24 orësh, ekstrakti i çajit të gjelbër shpejton metabolizmin për rreth 4%. Ky efekt shpjegohet me praninë e sasisë së lartë të katehin polifenolit në çajin e gjelbër, i cili intensifikon oksidimin e yndyrave dhe termogjenezën (shpejtësinë me të cilën organizmi djeg kaloritë).

2. Çaji i gjelbër pengon absorbimin e yndyrave dhe ndihmon në rregullimin e glukozës

Shkencëtarët kanë vërtetuar se katehinet nga çaji i gjelbër ndihmojnë në pengimin e kalimit të glukozës në qelizat yndyrore. Po ashtu, çaji i gjelbër ndikon edhe si rregullator i glukozës në atë mënyrë që ndihmon në ngadalësimin e rritjes së sheqerit në gjak pas ushqimit. Në këtë mënyrë pengohen kërcimet e mëdha të insulinës (më shumë insulinë në gjak sjell grumbullimin e yndyrave në formë të dhjamit).

3. Çaji i gjelbër mund të zvogëlojë oreksin

Shkencëtarët në Universitetin e Çikagos kanë konstatuar se çaji i gjelbër tek minjtë shkakton zvogëlimin e peshës trupore deri në 21%. Minjve, të cilëve i është dhënë ekstrakti i çajit të gjelbër, kanë humbur oreksin dhe kanë ngrënë rreth 60% më pak ushqim për 7 ditë pas marrjes së injeksionit me çaj të gjelbër. Kjo ka të bëjë me rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak.

4. Çaji i gjelbër në mëngjes zvogëlon kaloritë

Gjithnjë e më shumë njerëz në mëngjes pinë makiato, kapuçino, frape, me apo pa qumësht dhe me sheqer. Kaloritë të cilat i marrim me këtë rast kanë efekt shkatërrues për trupin tuaj. Nëse dëshironi të kurseni këto kalori të mëngjesit dhe ta merrni dozën tuaj të kafeinës, provoni që kafen ta zëvendësoni me çajin e gjelbër. Ose, së paku zëvendësoni kafen e mesditës me një çaj të gjelbër. Pas disa javësh përfundimisht do të vëreni ndryshimet.

Deri tani kemi numëruar 4 mënyra në të cilat çaji i gjelbër mund të ndihmoj në proçesin e dobësimit. Por, çfarë sasie duhet të konsumojmë në mënyrë që me të vërtet të vërejmë efektin e metabolizmit të përshpejtuar?
Mendimet e shkencëtarëve janë të ndryshme, por ata kryesisht pajtohen me idenë se, sasia prej 3-5 filxhanë në ditë është sasia optimale. Në këtë mënyrë do t’i digjni 70 kalori shtesë në ditë që sjell deri tek humbja e 3-4 kilogram në vit.

Mirëpo, 3-5 filxhanë në ditë mund të jetë shumë për disa persona, kështu që ndoshta do të duhej të konsideroni shfrytëzimin e ekstraktit të çajit të gjelbër ose çajit në formë të kapsulave.

Gjithashtu po ju tregojmë diçka më shumë mbi pasojat e mospërdorimit të çajit të gjelbër për qëllim dobësimi:

1- Çaji i gjelbër nuk është lëng magjik

Deri sa disa pohojnë se çaji i gjelbër është një lëng i plotfuqishëm në proçesin e  dobësimit, shprehja më e drejt do të ishte ‘balancuesi’. Nuk duhet të hani 5000 kalori në ditë dhe pastaj të pini një filxhan çaj të gjelbër për t’i neutralizuar ato kalori, pasi kjo gjë nuk do të ndodhë. Ushqimi i shëndoshë dhe aktiviteti i rritur fizik mund të shkojnë bashkë me çajin e gjelbër dhe për një kohë të gjatë do ta arrini peshën e dëshiruar. Dhe jo vetëm kaq, por edhe ta mbani atë!

2- Bëni kujdes me kafeinën nëse keni probleme shëndetësore

Tek personat me probleme shëndetësore në zemër, tension të lartë, ose të cilët janë të ndejshëm ndaj stimulantëve, kafeina në çajin e gjelbër nuk do të jetë zgjidhja e duhur. Nëse jeni të shqetësuar prej kafeinës, provoni përdorimin e ekstraktit të çajit të gjelbër. Shumica e këtyre preparateve janë bërë nga çaji i gjelbër nga i cili është hequr kafeina, kështu që ende mund të kënaqeni me dobitë e çajit, por pa kafeinë.
Nëse konsideroni se kafeina mund të jetë problem, patjetër konsultohuni me mjekun tuaj para përdorimit të tij për qëllime dobësimi. Po ashtu, konsultohuni edhe gjatë shtatzënisë.

Përfundimi: Çaji i gjelbër ndihmon  në dobësim duke shpejtuar metabolizmin, rregulluar nivelin e sheqerit në gjak, zvogëluar oreksin, si dhe duke ofruar zëvendësimin e pijeve shumë kalorike të mëngjesit. Çaji i gjelbër nuk është mjet magjik, por përfundimisht mund t’i japë mbështetje përpjekjeve gjatë proçesit të dobësimit dhe për shëndetin në përgjithësi. (LajmeShqip.com)