Lajme Shqip Saturday, 01 August 2015 12:29

​Dy mijë vjet histori mund t’i “shëtisni” nëpërmjet gërmadhave e ndërtimeve të Butrintit. Nuk është histori çfarëdo. Gjurmë të rënieve dhe ngritjeve të perandorive. Këto i ngërthen qyteti i lashtë, sot ndër pikat më të rëndësishme turistike të Shqipërisë. Është vlerësuar mikrokozmos i historisë së Mesdheut dhe amalgamë e monumenteve dymijëvjeçare, nga tempujt helenë të shekullit IV para Krishtit, deri te kalatë osmane të fillimit të shekullit XIX, shkruan sot “Koha Ditore”.

Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ndodhet rreth 20 kilometra larg qytetit jugor të Sarandës, në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit. Por qendra e rëndësishme e trashëgimisë historike e kulturore flet për sulltanë e perandorë përtej deteve.

Në burimet e shkruara Butrinti përmendet për herë të parë në shekullin VI para Krishtit, në veprën “Evropa”, të gjeografit grek Hekateu i Miletit. Në fillimet e tij futej në bashkësinë e nënfisit ilir të Kaonëve e më vonë në shtetin e Epirit.

Në bazë të mitologjisë klasike, Buthrotum u ndërtua nga mërgimtarët që ikën pasi ra Troja. Me të arritur djali i Priamit, Helenusi, sakrifikoi një dem, i cili përpëlitej i plagosur dhe ngordhi në breg. Duke e marrë këtë si një shenjë të mbarë, vendi u quajt Buthrotum që do të thotë “dem i plagosur”.

Kombinimi i monumenteve historike të të gjitha periudhave dhe i mjedisit natyror e bën Butrintin një vend unik. Historia e tij dymijëvjeçare është vështirë të përmblidhet në një artikull.

Në hyrje Butrinti të jep përshtypjen e një parku të zakonshëm natyror, aso çfarë i kanë metropolet evropiane, ku qytetarët thyejnë monotoninë e ditës. Dallimi është se për të hyrë aty duhet prerë biletë: 500 lekë për të rritur, për fëmijët nën tetë vjet nuk paguhet.

Rrënojat e një kulle dhe dy kolona të larta në fillim të parkut të krijojnë ndjesi zhgënjimi se nuk ka shumë për t’u parë në këtë vend. Përreth kullës është vendosur një shirit kuq e bardh që ndalon t’i afrohesh. Disa djem kryejnë gërmime afër saj.

 “Kjo është kullë e periudhës venedikase e ndërtuar në shekujt XV dhe XVI”, nis shpjegimin ciceronia Aurela Xhelo, një vajzë hollake me flokë kaçurrela, studente e gjuhëve të huaja.

Rrugica e shtruar me zhavorr të bardhë që çon në brendi të parkut arkeologjik i ngjason një tuneli të gjelbëruar që freskon e qetëson. Drunj lëkurëbardhë, të drejtë dhe shumë të lartë, të përcjellin nga të dyja anët e rrugës.

 “Eukalipt është”, tregon Aurela, dhe vë buzën në gaz kur pyetet prej nga ky dru i rrallë këtu. “E kemi dhuratë nga Khrushchevi”.

Në prag të luftës së ftohtë, në maj 1959, kur diktatori stalinist Enver Hoxha mbante ende marrëdhënie të mira me Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike – BRSS (Rusia e sotme dhe 14 republika të tjera që sot janë shtete v.j.) lideri sovjetik Nikita Khrushchev (Nikita Hrushçov) kishte qëndruar dhjetë ditë për vizitë në Shqipëri.