Lajme Shqip Tuesday, 24 May 2011 20:13

Tiranë – Zëdhënësja e Komisionerit për Zgjerim në BE, Stefan Fyle, deklaroi sot se procesi elektoral në Shqipëri nuk ka përfunduar ende, ndërsa bëri thirrje për respektimin e vendimeve të institucioneve.

Në një konferencë për shtyp nga Brukseli, Natasha Butler bëri të ditur se “ne do të ndjekim shumë afër çështjen e apelimeve deri në publikim e rezultateve të zgjedhjeve dhe raportin final të OSBE/ODIHR-it”.

Më tej, zëdhënësja e KE-së deklaroi se ‘trupa gjyqësore që do të shqyrtojë ankimimet duhet të jetë e pavarur dhe vendimet e saj të përputhen me legjislacionin shqiptar”.

Ndërsa vlerësoi se procesi i votimit ishte i mirë, pavarësisht disa incidenteve, zëdhënësja e KE-së ritheksoi se “zhvillimi i zgjedhjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare është një element kyç për integrimin e Shqipërisë”.

“Presim që procesi i apelimit të bëhet në mënyrë të pavarur dhe transparent. Procesi i apelimit të përmbushë kornizën ligjore në Shqipëri dhe është me rëndësi që zgjidhjet ligjore të gjenden për çështje që nuk janë të mbuluar nga baza ligjore dhe janë të hapura për interpretime. I bëjmë thirrje liderëve të politikës në Shqipëri që të gjejnë zgjidhje konsensuale për këto çështje”.