Tiranë – Minatorët e Bulqizës kanë vendosur të mërkurën të pezullojnë punën, një ditë pas shpërthimit në nivelin e 16-të të minierës, konkretisht në pusin dy të saj, ku humbi jetën një minator dhe u plagosën 8-të të tjerë.
Sipas kreut të përfaqësisë së minatorëve, Luan Nika, ky vendim merret në shenjë proteste ndaj kompanisë dhe shtetit, për ngjarjen e ndodhur ditën e martë. “Ne kemi vendosur të pezullojmë punën, pasi nuk ndihemi të sigurt”, thotë Nika.
Ndërkohë, ai shprehet se pas ceremonisë mortore të minatorit që humbi jetën, ata do të mblidhen së bashku me kreun e konfederatës dhe sindikatës, për të përcaktuar rrugën që do të ndjekin. “Na kanë dërguar të punojmë, në një kohë kur ishte paralajmëruar nga RISHM (Reparti i Inspektim, Shpëtim Minierave), se kishte rrjedhje gazi dhe kjo nuk është e drejtë “, tha Nika.
Ndërkaq, tre minatorët e plagosur që ndodhen në Tiranë, vazhdojnë të jenë nën mbikëqyrjen e mjekëve, sipas të cilëve, dy prej tyre janë në gjendje kritike. “Minatorët momentalisht po vuajnë nga tensioni i ulët, dhimbja e vazhdueshme e kokës, marrje mendsh etj. Ata janë në mbikëqyrje të vazhdueshme dhe do vijojnë të mbeten nën vëzhgim, deri në çastin kur gjendja e tyre shëndetësore të konsiderohet plotësisht e stabilizuar”, tha njëri prej mjekëve.
Një minator humbi jetën dhe 8-të të tjerë u plagosën, si pasojë e shpërthimit të gazit gjatë ditës së djeshme në nivelin e 16-të minierës së kromit në Bulqizë, konkretisht në pusin dy të tij.
Wednesday, 19 October 2011 13:12