Lajme Shqip Friday, 14 October 2011 15:52

Tiranë – Kur minatorët e Bulqizës zgjidhën përfundimisht mosmarrëveshjet me kompaninë Austriake Albanian Crom ACR, dhe pritej rifillimi i punës në minierë, konkretisht në sektorin D, Reparti i Inspektim Shpëtim Minierave “RISHM” ka vendosur pezullimin e punës në këtë sektor.

Bllokimi i punës në sektorin D, vjen një ditë pas inspektimit që u zhvilluar pranë minierës nga specialistët e RISHM, të cilët në përfundim të inspektimit vlerësuan se “në disa fronte pune, minierës ka nevojë për riparime, për të shmangur rrezikun jetës së minatorëve”.

Në të njëjtën vijë u shpreh dhe Drejtori i RISHM, Shpëtim Zeka, i cili në një intervistë për mediat, deklaroi se “inspektorët tanë kanë lënë disa detyra për riparime, me qëllim rikthimin e minierës në gjendje punë. Në fund të këtyre punimeve, do të kryhet një inspektim i dytë, rezultat i të cilit do të vendosi rifillimin e punës, ose jo në sektorin D të minierës”, përfundoi drejtori i RISHM.

Në krahun tjetër, minatorët të kontaktuar nga ATSH, u shprehën të kënaqur nga ky vendim. “Një nga kërkesat tona, ishte dhe përmirësimi i kushteve të punës, problem i cili mbas këtij vendimi të marrë nga RISHM, u vërtetua totalisht”, tha Luan Nika, kreu i përfaqësisë së minatorëve.

Sipas Nikës, rifillimi i punës në të gjithë sektorët e minierës, është i domosdoshëm. “Puna në të gjitha sektoret e minierës duhet të rifilloj sa më shpejtë dhe me kushte sa më optimale. Ajo, ka një vlerë jetike për ne, pasi është burimi kryesor i të ardhurave në qytetin tonë” përundoi Nika.