Bujanoc – Një grup huliganësh serbë kanë thyer disa shtëpi shqiptare në fshatin Novoselë të komunës së Bujanocit. Ata dëmtuan shtëpinë e Mefail Ramadanit, Hevzi Ramadanit, Shaqir Ibrahimit dhe Lazim Ramadanit, me qëllim frikësimin dhe shpërnguljen e tyre.
Ndaj këtij akti ka reaguar ka reaguar Shoqata e të Shpërngulurve nga Kosova Lindore me seli në Gjilan, duke theksuar se kjo ngjarje vandale, ka ndodhur javën e kaluar në sytë e xhandarëve serbë të cilët janë të stacionuar në këtë zonë me një numër të madh.
“Kjo ngjarje, lë të kuptohet se këta vandalë serbë ishin të organizuar nga vet shteti serb me të vetmin qëllim që edhe ata pak banorë shqiptarë që janë kthyer të jetojnë atje t’i frikësojnë në mënyrë që të detyrohen të largohen nga vatrat e veta”, – deklaroi Sejdulla Kadriu, kryetar i kësaj shoqate.
“Pra, ato pak familje të cilat edhe ashtu me kushte të vështira jetese në të gjitha fushat e jetës, këto ditë u përballën me frikën, thyerjen e shtëpive dhe dilemën se si të vazhdojnë të jetojnë edhe më tutje në shtëpitë tyre. Edhe pse këto vende janë të mbushura me xhandarë e ushtarë serbë (që thonë se janë aty për shkak të sigurisë), shqiptarët këtu nuk kanë siguri. Këtë e dëshmon ky demolim i shtëpive, ndërkohë që autorët nuk kapën”- vijoi më tej Kadriu, transmeton INA. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 11 July 2012 14:34