Tiranë -Kryeministri Berisha vizitoi sot Budvën (Mali i Zi), ku mori pjesë në takimin e Evropës Juglindore, një takim i përvitshëm ky që organizohet nga Grupi i Mëngjesit të Lutjeve në Europën Juglindore.
Në këtë event morën pjesë liderë, politikanë, personalitete nga Evropa Juglindore dhe anëtarë të Kongresit Amerikan, si Senatori i SHBA, James Inholfe, kongresmeni Robert Aderholt, Presidenti i Malit te Zi, Filip Vujanovic, Kryeministri Igor Luksic dhe Kryetari i Parlamentit, Ranko Krivokapic, Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnje Hercegovinës, Zlatko Lagumdzija, ish- Presidenti dhe ish- kryeministri i Malit të Zi, Milo Djukanovic , ish -Presidenti kroat Stjepan Mesic, etj.
Qëllimi i këtij takimi është të ndajë në frymën e miqësisë, vlera dhe ide për promovimin e mirëkuptimit, tolerancës dhe bashkëjetesës midis kombeve, kulturave dhe besimeve.
Takimi i Europës Juglindore organizohet për të 9-in vit. Ndërsa Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve mblidhet çdo vit në Washington DC që nga 1953.
Kryeministri Berisha nën moton “Bashkim në diversitet” iu adresua pjesëmarrësve me një fjalë. Kryeministri Berisha e vlerësoi takimin si një takim miqësor, në të cilin njerëzit bëjnë gjithçka për të rritur mirëkuptimin, duke besuar se bashkimi në diversitet është forcë, është virtyt, është energji e pashtershme, është një vlerë hyjnore dhe njerëzore.
Sot ne jemi një komb qe jeton ne vende te ndryshme. Ne jemi te bashkuar ne divesitet. Vendi im ka kënaqësinë te ketë marrëdhënie miqësore me Malin e Zi, me Kosovën dhe vende të tjera dhe natyrisht do te punojmë për një fryme të re në marrëdhëniet tona me Serbinë, sepse te pranosh njeri-tjetrin dhe të punosh se bashku – kjo është e ardhmja.
Kryeministri theksoi se shqiptarët në shekuj i kanë qëndruar parimit “Bashkim në diversitet”, duke e kthyer atë në çelësin e suksesit dhe të mbijetesës si komb. Duke iu referuar historisë, kryeministri paraqiti shembuj, në të cilat dëshmohet shpirti human i shqiptarëve në shekuj, i vlerësuar nga shumë kombe dhe vende, si virtyti më fisnik që i karakterizon ata. (Lajmeshqip.com)
Saturday, 26 May 2012 17:09