Lajme Shqip Friday, 30 October 2015 16:02

    

Drejtuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) sot kërkuan nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës për njohjen e stazhit të punës për të gjithë punëtorët e periudhës 1990-1999, të cilët ishin larguar dhunshëm nga vendet e punës nga pushteti i atëhershëm serb. Shumë prej tyre, të cilët kanë dalë në pension, aktualisht nuk po arrijnë të marrin pensionin e plotë për një vit, për 6 muaj mungesë të stazhit.

Kështu u tha në konferencën për media të organizuar nga BSPK, në të cilën u fol edhe për pagën minimale e cila sipas tyre nuk duhet të jetë më e kategorizuar por të jetë paga në vlerë të një shporte për 5 anëtarë të një familje.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Haxhi Arifi, theksoi se paga minimale e kategorizuar përfundimisht duhet të hiqet nga Këshilli Ekonomik Social (KES) dhe mos të jenë të diskriminuar punëtorët me nga 170 euro. Kjo sipas tij duhet të jetë më e dinjitetshme.

“Ne si BSPK sot do të kërkojmë në Këshillin Ekonomiko Social se kategorizimi duhet përfundimisht të hiqet sepse nuk ka treguar rezultate, përkundrazi ka qenë një diskriminim dhe sigurisht se edhe në Këshillin Ekonomiko Social do të diskutohet sot për këtë çështje dhe të shohim se cila do të jetë paga minimale në të ardhmen”, theksoi Arifi.

Kjo sindikatë tashmë e ka kërkesën për pagën minimale dhe do të shihet gjatë dialogimit mes dy partnerëve, punëdhënës dhe Qeveri se çfarë mund të arrihet për këtë kategori të pagave. Arifi kërkon vlerën e pagës për një shportë të familjes 5 anëtarësh.

Kërkesat tona, si BSPK, janë që paga minimale për punëtorët e Kosovës të llogaritet në bazë të kostos së shportës për një familje me 5 anëtarësh, deklaroi Arifi.

Arifi ka ngritur edhe çështjen e kërkesës së BSPK-së për pranimin e stazhit për të gjithë punëtorë që padrejtësisht ishin larguar nga puna gjatë viteve t ë ‘90-ta, që tani po mbesin pa realizuar pensionin e tyre të plotë.

“Kërkesa jonë ndër tjera kërkesa ka qenë pranimi i stazhit për të gjithë punëtorët në Kosovë të larguar nga puna gjatë viteve ‘90-’99. Tani shumë punëtorë po mbesin pa realizuar pensionin e tyre të plotë për shkak se mungojnë ato vite të stazhit. Dikujt po i mungon stazhi 1 vjet, 6 muaj e dikujt tri vjet”, deklaroi Arifi.

Arifi theksoi se Qeveria duhet të mendojë në këtë drejtim dhe pa hezitim ta pranojë stazhin e punës për këto vite për të gjithë punonjësit.

Ai ka folur edhe për amandamentimin e Ligjit të Punës. Arifi tha se qëndrimi i BSPK-së për lehonat është që pushimi për to të jetë lehonisë 12 muaj dhe asesi nëntë muaj. Lehonat duhet të paguhen 4 muaj e gjysmë nga punëdhënësi, 4 muaj e gjysmë nga shteti dhe tre muaj pa pagesë.

Arifi ka folur edhe për rrjedhën e privatizimit të ndërmarrjeve në Kosovë dhe për listat e punëtorëve që janë realizuar për alokimin e mjeteve. Sipas tij, në proces të privatizimit ishin 330 ndërmarrje. Janë realizuar 103 milionë euro për punëtorët nga ish AKM dhe tash AKP.