Tiranë – Rritja e shpenzimeve publike dhe defiçitit buxhetor mund të sjellë rikthim të investimeve në masë të bankave në letrat e borxhit të qeverisë dhe rritje të normave të interesit në tregjet financiare.
Kjo do të pengonte gjallërimin e kredisë për sektorin privat, në një moment kur ekonomia ka më shumë nevojë. Por, nga ana tjetër, rritja e shpenzimeve publike mund të jetë një nxitje për ekonominë dhe rritjen e kredisë.
Klodion Shehu, drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë, thotë se rritja e defiçitit bart së bashku shanse dhe rreziqe, ndaj, si qeveria ashtu edhe aktorët e tregut financiar duhet të mbajnë pozita të ekuilibruara.
Ndërkohë, sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, rreziku i kredisë ngelet kërcënimi kryesor për stabilitetin e sistemit bankar. Norma e kredive me probleme qëndron në nivelet më të larta historike dhe në fund të muajit shkurt të këtij viti shënonte nivelin 14.6%. Në raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2010, Banka e Shqipërisë gjykon se gjendja e sistemit financiar në vend është e qëndrueshme dhe se bankat janë të afta t’ju rezistojnë skenarëve të parashikuara në testet e rezistencës.
Por, për banka të veçanta, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit qëndron pranë minimumit rregullator prej 12%, ndaj këto banka duhet të veprojnë për të rritur kapitalin e tyre aksioner.
Thursday, 28 April 2011 14:21