Tiranë – Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi në mbledhjen e fundit të tij rregulloren e re për administrimin e rrezikut të kredisë, duke rikonceptuar kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve drejtuese të bankave në lidhje me kredidhënien.
Rregullorja ka si qëllim uljen e kredive me probleme, por në fakt shtrëngon procedurat që bankat duhet të aplikojnë kur japin kredi. Gjithashtu, rregullorja e re përcakton edhe provigjonet që bankat duhet të mbajnë për kategoritë e kredive me probleme.
Burimet në Bankën e Shqipërisë bënë të ditur se rregullat e reja diktohen nga rritja e fluksit të kredive me probleme, të cilat janë shndërruar kohët e fundit në riskun më të madh të aktivitetit bankar.
Sipas BSH-në, në fund të muajit gusht kreditë me probleme arritën nivelin 18%, duke shënuar një rritje të lehtë kundrejt një muaji më parë. Rregullorja e Bankës së Shqipërisë, klasifikon kredi me probleme ato kredi që nuk paguhen për të paktën 3 muaj radhazi.
Më tej, sipas vonesës në shlyerje, kreditë me probleme ndahen në kredi nën standarde, kredi të dyshimta dhe kredi të humbura. Deri në fund të muajit Gusht, kreditë nën standarde kishin vlerën e 46 miliardë lekëve, ose 8.9% të totalit të portofolit të kredisë. Kreditë e dyshimta, që janë me vonesë mbi 6 muaj, kishin vlerën e 20 miliardë lekëve, ose 4.9% e totalit. Gjithnjë sipas metodologjisë mbikëqyrëse, një kredi vlerësohet si e humbur nëse nuk paguhet për një vit kalendarik rresht.
Saturday, 29 October 2011 18:45