Lajme Shqip Wednesday, 05 October 2011 13:27

Bruksel (PLOTËSUAR 19:30) – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, i ka hedhur poshtë pretendimet e Serbisë se gjoja KFOR-i i ka tejkaluar kompetencat në veri të Kosovës.

Ai sot tha se KFOR-i nuk i ka shkelur kompetencat që ia ka besuar OKB-ja, por ka reaguar me kujdes dhe vendosmëri, dhe këtë do ta bëjë edhe në të ardhmen, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe sigurisë në të gjithë Kosovën.

Rasmussen i ka bërë këto komente në mbledhjen e ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s.

Ai vlerësoi se situata në Kosovë është e qetë, por e tensionuar në pjesën veriore të saj. Sipas tij, dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është rruga e vetme për të zgjidhur problemet e qytetarëve të Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s po ashtu tha se Aleanca i jep ende shumë rëndësi misionit të saj në Kosovë.

“KFOR-i është një shembull i mirë i suksesit, pasi gjatë 12 vjetëve të fundit është neutralizuar mundësia e shpërthimit të konfliktit dhe as në të ardhmen nuk do të lejojmë të ndodhë. NATO nuk do ta tolerojë dhunën në Kosovë”, tha Rasmusen.

Ai po ashtu tha se është i kënaqur me bashkëpunimin mes KFOR-it dhe EULEX-it, pasi siç tha ai, është i domosdoshëm për të arritur suksesin në terren.

“Megjithatë është i domosdoshëm edhe dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit, dhe kjo është zgjidhje për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Dhe për këtë kam folur disa herë me autoritetet e Kosovës dhe me ata të Serbisë. U kam bërë thirrje të dyja palëve që të jenë konstruktiv dhe të angazhohen në këtë proces, sepse do të doja që të gjitha vendet e Ballkanit të prosperojnë drejt integrimeve në BE dhe NATO”, potencoi Rasmusen.

****************************

Bruksel – Sot pasdite, në Bruksel, ministrat e brendshëm të vendeve anëtare të NATO-s do nisin takimin dyditor, që do të drejtohet nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, dhe në agjendën e të cilit do te jenë edhe zhvillimet dhe gjendja e sigurisë në Kosovë.

Siç njoftohet nga burimet në selinë e NATO-s, ata do të theksojnë vendosmërinë e trupave të KFOR-it për të ruajtur sigurinë në Kosovë. NATO ka vlerësuar se ngjarjet e fundit kanë treguar se në veri të Kosovës ende nuk ka kaluar rreziku i ashpërsimit të situatës së sigurisë.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, Anders Fog Rasmusen, në prag të takimit ka thënë se KFOR-i “do të vazhdojë të veprojë paanshëm, por do ta shfrytëzojë forcën e domosdoshme minimale, në rastet e nevojshme, pasi KFOR-i ka të drejtën për vetëmbrojtje”.

Sipas Rasmusenit, kështu ndodhi me 27 shtator, kur trupat e KFOR-it në veri  të Kosovës u sulmuan nga demonstruesit serbë. (LajmeShqip.com)