Lajme Shqip Wednesday, 05 August 2015 08:08

Marrëveshje ishte paraparë të hyjë në fuqi me datë 24 korrik, gjë për të cilën institucionet e Kosovës kishin bërë përgatitjet e nevojshme.

Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, do të marrë sot pjesë në takimin lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve, që do të mbahet në Bruksel.

Në këtë takim të ndërmjetësuar nga BE dhe Këshilli i Byrove Evropiane do të diskutohet për aspektet teknike të zbatimit të Marrëveshjes për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar me 23 qershor në Bruksel në prani të Kryeministrave të dy vendeve atij të Kosovës dhe të Serbisë, si dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së znj. Mogherini. Kjo Marrëveshje ishte paraparë të hyjë në fuqi me datë 24 korrik, gjë për të cilën institucionet e Kosovës kishin bërë përgatitjet e nevojshme.

Gjatë këtij takimi do të diskutohet për të gjitha aspektet teknike të përgatitjeve për fillimin e mbarë të zbatimit të kësaj marrëveshje sipas planit zbatues dhe për të cilën të dyja palët do të raportojnë për përgatitjet e duhura. Është qëndrim i delegacionit të Republikës së Kosovës që Marrëveshja në fjalë duhet të zbatohet në plotëni, sa më parë që është e mundur dhe jo më larg se 10 gushti i vitit 2015.

Po ashtu, delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Tahiri do të pritet në një takim nga Presidenti i Këshillit të Byrove Evropiane (KBE) Jean Zenners.

Gjatë këtij takimi do të diskutohet për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në mes të Kosovës me theks të veçantë të Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe Këshillit të Byrove Evropiane, zbatimi i kritereve të KBE nga ana e institucioneve përgjegjëse të Kosovës, dhe perspektiva e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Byrove.

Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga ministrja Edita Tahiri ka në përbërje, Rrahim Pacolli, udhëheqës teknik për çështje të sigurimeve; Shaban Guda, nga Policia e Kosovës; Faton Abazi, drejtor i BKS, Fatmir Gashi, Zv. Guvernator i BQK, Faton Pacolli, BKS; Rifat Kelmendi, BKS; dhe Qemajl Marmullakaj, koordinator në dialog.