Lajme Shqip Tuesday, 04 August 2015 14:57

Misioni i Forcave Ajrore Britanike kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak do të zgjatet edhe me një vit më shumë. Lajmin e ka bërë të ditur sekretari i Mbrojtjes, Michael Fallon.

Avionët luftarakë, të cilët do të tërhiqeshin marsin e kaluar, pritet të qëndrojnë në gatishmëri të paktën deri në marsin e vitit 2017 për të vazhduar sulmet, deklaroi sekretari gjatë një vizite në Irak, transmeton TCh.

Zoti Fallon tha gjithashtu se fushata ajrore kundër ISIS po shënon progres, me sulmet britanike që i kanë zmbrapsur militantët jashtë qyteteve kryesore.

Ai shtoi se, grupi i dytë prej 8 bombarduesish, të cilët janë të vendosur në një bazë në Qipro, do të mundësojnë që forcat ajrore të ruajnë saktësinë në goditjen e objektivëve, mbledhjen e informacioneve dhe mbikëqyrjen.

Avionët tip “GR4” të vendosur në Qipro janë të pajisur me bomba të udhëhequra nga një sistem i saktësisë së lartë. Gjithashtu, ata përmbajnë sisteme për të kryer operacione mbikëqyrëse, me qëllim mbledhjen e informacioneve para kryerjes së sulmeve.

Bashkë me avionët e telekomanduar, që veprojnë gjithashtu në rajon, ata kanë kryer mbi 1.100 misione luftarake në Irak dhe kanë realizuar mbi 250 sulme ajrore.