Londër – Britania e Madhe prej mbrëmë është goditur nga stuhia e dytë e shtrëngatës, në një periudhë prej vetëm 48 orësh, e shoqëruar me erë të fuqishme, që në disa pjesë të vendit po fryn me shpejtësi prej 180 kilometra në orë.
Era e fuqishme sërish ka shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike dhe mirëmbajtjen e komunikacionit. Mijëra shtëpi dhe firma në Angli dhe Skoci mbetën pa energji elektrike, ndërsa një pjesë e tyre edhe pa ngrohje. Situata është veçanërisht e vështirë në veri të vendit, në Skoci, ku rreth 16.000 shtëpi janë pa energji elektrike që nga dita e martë, kur stuhia me erëra të fuqishëm dhe shi, shkaktoi dëme të rënda përgjatë gjithë kësaj pjese të Britanisë së Madhe dhe çrregullim të madh në komunikacionin ajror, hekurudhor dhe rrugor.
Stuhia në disa pjesë të Anglisë u bë shkak edhe për vdekjen e dy personave dhe lëndimin e tre të tjerëve.
Stuhia e madhe e dytë, tani për tani nuk krijoi probleme më të mëdha në komunikacion, por policia dhe zjarrfikësit njoftojnë për kamionë të përmbysur në autostradata e vendit, si dhe për qindra trungje të çrrënjosur nëpër parqe dhe oborre.
Autoritetet komunale të shumë prej qyteteve në vend njoftuan se shumë ndërtesa kanë pullaze të dëmtuara, oxhaqe të rrënuara dhe dëmtime të fasadave të ndërtesave, por tani për tani nuk njoftohet për të vdekur dhe persona të tjerë të lënduar. Në Anglinë jugore, përkohësisht është ndalur qarkullimi mbi një urë për arsye sigurie.
Friday, 06 January 2012 10:00