Lajme Shqip Wednesday, 28 September 2011 15:00

Tiranë – Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, është shprehur në një intervistë për Radion “Evropa e Lirë”, se opozita ka bërë një dëm shumë të madh që s’mund të zhbëhet në ditët që kanë mbetur deri në Raportin e Progresit.

“Unë pres në këtë raport një pasqyrim të realitetit të reformave të Shqipërisë, nga nëntori i kaluar deri në periudhën kur ky raport është hartuar, deri në shtator të këtij viti.

Pres një vlerësim realist për kriterin ekonomik dhe standardet, përfshi këtu dhe trendin e rritjes dhe stabilitetit të ekonomisë shqiptare, përfshi këtu vlerësimin për reformat e ndërmarra, në fushën e gjyqësorit, përfshi vlerësimin në kuadrin ligjor të përmirësuar, efiçent dhe për masat në luftën e krimit dhe korrupsionit, vlerësimin për standardet lidhur me trafikun e qenieve njerëzore, drogave dhe narkotikëve”, tha Bregu.

Ajo shtoi se “pres vlerësime për sa i përket funksionimit të një prej ligjeve më të rëndësishme, që është miratuar në kuadrin e liberalizimit të vizave dhe që po funksionon shumë mirë, që është ai kundër pastrimit të parave dhe i konfiskimit te aseteve të personave të inkriminuar dhe sigurisht, që pres një vlerësim, i cili është në të njëjtën linje me vlerësimin e OSBE/ODIHR-it për sa i përket zhvillimit të zgjedhjeve lokale në Shqipëri, si zgjedhje konkurruese dhe transparente”.

Sipas Bregut, të gjithë kanë qenë dëshmitarë dhe kanë vërtetuar që ka pasur një deklaratë të kryetarit të opozitës për rikthim në parlament, votim të ligjeve me 3/5 dhe angazhim serioz për plotësimin e 12 pikave, që Komisioni Evropian i përcaktoi si prioritete, duke shoqëruar opinionin për Shqipërinë.