Lajme Shqip Tuesday, 20 September 2011 19:56

Tiranë – Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, reagoi ndaj deklaratës së një dite më parë të liderit të PS-së Edi Rama sipas të cilit, “pozita do të tërheqë plotësisht të gjitha draftet e paraqitura  në Kuvend sa për t’i hedhur hi syve Brukselit”.

Në një prononcim për mediat vizive, Bregu tha sot se ky etiketim për draftet e paraqitura në Kuvend, është tejet i pavend, sepse cilësia në hartimin e tyre garantohet në të gjitha rastet nga asistenca e organizmave të huaj.

“Një nga detyrimet kryesore të Shqipërisë në procesin e integrimit është përpilimi i ligjeve në pëputhje me standardet evropiane, dhe për të arritur këtë harmoni mes legjislacionit tonë dhe atij të BE-së, në procesin e përpilimit të ligjeve, ekspertët dhe institucionet shqiptare asistohen gjithnjë nga organizata dhe organizma ndërkombëtarë”, tha ministrja.

Në këtë kuadër, ministrja Bregu evidenton nëpëmjet zyrës së shtypit, një pjesë të projektligjeve që kërkojnë 84 vota për miratim në Kuvend me asistencën respective:

-Në projektligjin “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative” asistenca kryesore ka qenë nga SIGMA/OECD.  Gjatë diskutimeve parlamentare kanë asistuar Euralius, USAID (Sfida e Mijevjecarit) dhe OSCE.

-Për ndryshimet në Kodin Penal është marrë asistencë nga EURALIUS.

– Për veprat penale kundër korrupsionit është marrë asistencë nga PACA(Projekti kundër Korrupsionit) ndërsa për veprat penale kundër terrorizmit ka asistuar OPDAT.

-Ndryshimet në kodin hekurudhor janë asistuar nga SEETO, që monitorohet nga BE (South East European Observatory – Sekretariat) si dhe nga asistenca e BE-së për ministrinë e Transportit.

-Projektligjet për ndryshimet dhe shtesat në Kodin Doganor dhe Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë, janë asistuar nga GTZ dhe Programi i sfidës se Mijëvjeçarit – USAID.

-Kodi rrugor në aspektin e gjobave, është hartuar nga Ministria e Brendshme, referuar praktikave të BE-së dhe PAMECA-s, ndërsa në pjesën teknike –  tokografi digital + plani kombetar i tranportit – është asistuar nga TAIEX.

-Në Kodin Detar të Republikës së Shqipërisë, amendimet janë bërë me asistencën e BE-së pranë  Ministrisë së Transporteve, në kuadër të IPA 2005.

-Për ndryshimet dhe shtesat në Kodin Civil, asistenca teknike ka ardhur nga projekti EURALIUS II.