Lajme Shqip Thursday, 05 January 2012 14:00

Tiranë – Rritja e punësimit përmes mbështetjes për zhvillimin e mëtejshëm të bizneseve të vogla dhe SME-ve përbën objektivin kryesor për ministrinë e Ekonomisë, (METE), e cila për vitin 2012, parashikon të hapë 15.500 biznese të reja.

Objektivi do të mbështetet nga një fond buxhetor i ministrisë prej 2.3 miliardë lekë, tha sot zv/ministri i METE-s, Eno Bozdo.

Sipas tij, “fondi do ndihmojë për një zhvillim të qëndrueshëm të biznesit, ku parashikohen reforma të tjera në vijim për përmirësimin e klimës së biznesit, ku synojmë që të hapen 15.500 biznese te reja, do të jepen 3.500 licenca, 7 koncensione të reja, 3 studime potenciale për investime në Shqipëri, me objektiv, rritjen e fluksit të Investimeve të Huaja Direkte”.

METE ka parashikuar në buxhetin për vitin 2012 që të japë edhe grante për 17 kompani në fushën e Inovacionit, me qëllim, rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare në tregun rajonal.