Ankandet e fundit të bonove të thesarit qetësuan pjesërisht tregun e brendshëm financiar, duke sjellë një stabilizim të interesave dhe, ç’është e rëndësishmja, ofertë disi më të lartë për të financuar borxhin e kërkuar nga qeveria.
Gjatë kësaj jave u zhvillua ankandi i radhës për obligacionet me maturim 2 vjeçar.
Qeveria arriti të siguronte të gjithë borxhin e kërkuar prej 3 miliardë lekësh, ndërkohë që oferta për financim kaloi vlerën e 4 miliardë lekëve. Interesi ra në 8.59%, nga 8.7% që kishte qënë në ankandin paraardhës.
I suksesshëm rezultoi edhe ankandi për bonot me maturim 12 mujor. Qeveria arriti të marrë një borxh prej rreth 10.1 miliardë lekësh, vlerë kjo më e lartë se shuma e shpallur dhe që plotëson një pjesë të borxhit që nuk u arrit të sigurohej në ankandin e mëparshëm.
Oferta për financim arriti gjithsej në 12.4 miliardë lekë. Interesi njohu një rritje mjaft të lehtë në 7.34%, nga 7.32% që kishte qënë në ankandin paraardhës.
Por, ndërkohë qeveria nuk arriti të siguronte me sukses edhe borxhin prej 4.7 miliardë lekësh që ishte programuar të merrej përmes bonove me maturim 6-mujor.
Vlera e borxhit të siguruar u ndal në 4.2 miliardë lekë, ndërsa interesi mesatar i ponderuar u rrit në 6.2%, nga 6.08% që kishte qënë në ankandin paraardhës.
Rezultatet e ankandeve të fundit për emetimin e borxhit publik zbusin disi shqetësimin për vështirësitë e sigurimit të borxhit në tregun e brendshëm, por duket se pasiguria në treg do të vazhdojë.
Një pjesë e grupeve të huaja bankare ju kanë kërkuar bankave të tyre të kufizojnë ekspozimin në borxhin publik, si pjesë e një strategjie gjithëpërfshirëse, pas krizës së borxheve sovrane në Eurozonë.
Kjo do të rezultojë me një ulje potenciale të ofertës në tregun e letrave të borxhit të qeverisë.
Thursday, 22 March 2012 13:37