Uashington- Brenda rrethojës së Shtëpisë së Bardhë mbrëmë është hedhur një bombë e tymosur, kumtoi zëdhënësi i shërbimit për sigurimin e presidentit të SHBA-së.
Presidenti Obama gjatë asaj kohe nuk ka qenë në Shtëpinë e Bardhë, pasi që me bashkëshorten Mishel e ka festuar ditëlindjen e saj të 48-të në njërin prej restoranteve më të afërt, transmetuan mediat amerikane.
Është e mundur bomba të jetë hedhur nga njëri prej qindra protestuesve të lëvizjes “Okupo”, të grumbulluar atë kohë para hyrjes së Shtëpisë së Bardhë.
Nuk ka pasur arrestime, por shërbimet speciale i kanë shtyrë protestuesit ta braktisin territorin, të cilin e kanë kapluar, ndërsa ai është kontrolluar shtesë dhe për shkaqe sigurie përkohësisht janë mbyllur dyert dhe daljet e Shtëpisë së Bardhë, si dhe një pjesë e avenysë së Pensilvanisë, transmetuan agjencitë.
Aksione protestuese pati edhe rreth Kongresit të SHBA-së. Në fushën perëndimore të Kapitoll hillit u grumbulluan disa qindra persona, që të protestojnë kundër ndikimit të parave korporative mbi politikën dhe ta shprehin pakënaqësinë e tyre nga problemet e shumta.
Aksioni u thirr nën parullën “Okuponi Kongresin” dhe organizatorët shpresonin se në të do të marrin pjesë rreth 10.000 persona, por sipas mediave amerikane nuk ka qenë aq masovike.
Mediat përkujtojnë se sipas hulumtimeve më të reja të mendimit publik, rreth 84 për qind e amerikanëve nuk e miratojnë punën e Kongresit.
Mitingu në Kapitoll hill në tërësi ishte i qetë, por pati disa keqkuptime midis protestuesve dhe policisë nëpër trotuaret, që çojnë drejt ndërtesës së parlamentit amerikan. Janë arrestuar katër persona prej të cilëve njëri për sulm mbi një polic dhe tre për hyrje në territorin e rrethuar me shirit nga ana e policisë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 18 January 2012 10:00