Lajme Shqip Thursday, 06 October 2011 11:50

Tiranë – Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi të enjten në parlament, se ndryshimet e propozuara në ligjin “Për mënyrën dhe procedurat e shitjes së pronave të personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë” të ndryshuar”, synojnë bërjen atraktive të pronave të mbetura të bllokuara për mungesë interesi.

Gjatë debatit në parlament, Bode akuzoi Partinë Socialiste për mënyrën e shitjes së 95 % të pronave të ashtuquajtura firma piramidale. “Kush i mori pronat e këtyre firmave. PS ka shitur 95 % të këtyre aseteve. Me çfarë çmimi janë shitur këto prona dhe kujt u janë dhënë pronat e firmave piramidale për të shlyer çdo qindarkë lekët që morën përsipër në fushatën e vitit 1997”, u shpreh Bode.

Sipas tij, ajo që ne sjellim sot është çlirimi i  5% të pronave jo atraktive, që kanë mbetur ende të bllokuara për mungesë interesi.

Në bazë të ndryshimeve të ligjit “Për mënyrën dhe procedurat e shitjes së pronave të personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë” të ndryshuar”, agjensitë e shitjes së këtyre pronave detyrohen të publikojnë çmimin e aseteve që do të mund të shiten në ankand përpara ankandit, me shpresë se do të zgjerohet interesi i blerësve.

Opozita e kundërshtoi p/ligjin me argumentin se këto ndryshime nuk do të mund të sjellin rezultate në atë që synohet.