Lajme Shqip Tuesday, 24 January 2012 21:20

Rritja e kredisë për ekonominë gjatë vitit 2011 ka ardhur kryesisht nga bankat me baza të forta lokale. Të dhënat e Shoqatës së Bankave, deri në fund të 9-mujorit 2011, treguan se ato banka që vitet e mëparshme ishin mbështetur kryesisht tek linjat e financimit të bankave mëmë, gjatë vitit të kaluar janë detyruar ta frenojnë kreditimin.

Kështu, në fund të muajit Shtator të vitit të kaluar, Alpha Bank pësoi një tkurrje të portofolit të kredisë me 10.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. NBG Bank raportoi një portofol kredie në rënie me 7.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010.

E njëjta tendencë, ndonëse në një masë më të kufizuar edhe për Tirana Bank dhe Emporiki, që në fund të 9-mujorit 2011, pësuan një rënie vjetore të kredisë me 0.8% dhe 1.2%. E kundërta ka ndodhur me bankat me baza të forta lokale. Kështu, në harkun e një viti Credins Bank e ka rritur portofolin e kredisë me 60%.

Banka më e madhe me kapital vendas ka shënuar rritjen më të lartë të kreditimit për vitin e kaluar. Edhe banka tjetër me kapital shqiptar, Union Bank, në fund të Shtatorit 2011 e rriti portofolin e kredisë me 11.7% krahasuar me një vit më parë. Por, rritje të larta të kredisë kanë realizuar edhe ato banka të huaja që financimin e mbështesin në depozitat e brendshme dhe jo në linjat e huaja të financimit.

Dy bankat më të mëdha depozituese, Raiffeisen Bank dhe BKT e kanë rritur portofolin e kredisë me 17.7 dhe 30.4%. Këto të dhëna mbështesin sugjerimin e Bankës Botërore që ekonomitë e vendeve në zhvillim duhet të mbështeten më shumë nga bankat lokale dhe të ulin varësinë nga tregjet e huaja.