Tiranë – Klima e tendosur politike po frenon investimet. Sofika Nazaj, drejtore e Kredisë Koorporative në Credins Bank, thotë se konflikti politik i radhës po transmeton pasiguri dhe ulje të besimit tek biznesi. Sipas saj, prej disa muajsh vërehet rritje e tendencës së biznesit për të investuar dhe rritja e investimeve do të ishte më e lartë, nëse nuk do të frenohej nga tensionet politike në vend.
“Duke filluar që nga tremujori i fundit i vitit të kaluar, kemi vënë re një tendencë rritëse të kërkesës së biznesit për kredi për investime. Besonim se periudha e prillit dhe majit do të shënonte një rritje me ritëm edhe më të lartë, por me sa duket kriza politike ka krijuar një situatë të pasigurt te bizneset. Këtë e vëmë re në kontaktet tona të përditshme me bizneset. Klima politike është faktor që ndikon drejtpërdrejt në vendimet e biznesit pë rtë investuar,” thotë Znj.Nazaj.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tre muajt e parë të vitit 2011 kredia e marrë nga biznesi për investime në makineri dhe pajisje preku vlerën e 9.9 miliard lekëve, me një rritje prej 46% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2010.
Tuesday, 31 May 2011 15:30