Lajme Shqip Wednesday, 19 October 2011 14:06

Ndërhyrjet e njëpasnjëshme në sistemin fiskal nuk po japin frytet e parashikuara nga Qeveria.

Shembull konkret janë të ardhurat nga akciza dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, për 9 muajt e parë vitit, të ardhurat në buxhetin e shtetit nga këto dy zëra janë në total 1.9 miliardë lekë më pak se planifikimi.

Në Janar 2011 pati një rritje të taksës, ku për çdo paketë cigare paguhet 20 lekë më shumë akcizë.

Në parim, një rritje e tillë e akcizës për cigaren me rreth 40% (ishte 50 lekë për paketë u bë 70 lekë) pritej të rriste edhe të ardhurat në buxhet.

Por, kjo gjë nuk ndodhi, përkundrazi ato u ulën. Përgjatë 9 muajve të këtij viti, buxheti i shtetit mësohet të ketë mbledhur rreth 1.1 miliardë lekë  me pak nga akcizat.

Gjatë këtij viti vihet re një rritje e të ardhurave nga tatimi mbi fitimin në krahasim me vitin 2010, por kemi një mosrealizim të planit të këtij viti me 573 milionë lekë.

Të ardhurat nga tatimi i vlerës së shtuar ishin 871 milionë lekë më pak se plani i fillim vitit. Ndërsa, krahasuar më një vit më parë këto të ardhura janë me rritje prej 380 milionë lekësh.